Vesti i događaji - Arhiva

30-05-2018

Aktivitete e realizuar në muajin maj në trajnimin fillestar per gjyqtarët e sapo emëruar

Akademia e Drejtësisë, ka vazhduar përmbushjen e programit të trajnimit për gjyqtarët e sapoemëruar, duke realizuar në këtë formë aktivitete trajnuese të cilat kanë përfshirë trajnimin teorik dhe atë praktik për muajin maj, ashtu siç ishin planifikuar me program.

Komponenta e trajnimit teorik, për këtë periudhë, është përmbushur duke realizuar aktivitetet si në vijim: nën-moduli “Mbrojtja gjyqësore në kontestet  nga marrëdhënia e punës është realizuar përmes dy (2) sesioneve trajnuese, nën-moduli “E drejta familjare“ një (1) sesion trajnues, nën moduli “E drejta administrative” pesë (5) sesione trajnuese, nën moduli “E drejta e detyrimeve” nëntë (9) sesione trajnuese, si dhe nën moduli “Ligji për kundërvajtje” një (1) sesion trajnues.

Në kuadër të nën modulit “Mbrojtja gjyqësore në konteste nga marrëdhënia e punës” përkatësisht në sesionin dy dhe tre ndër të tjera janë shtjelluar: natyra juridike e kontesteve të punës, legjislacioni në fuqi, fusha e zbatimit dhe llojet e kontratave të punës (akt emërimeve) sipas Ligjit për Shërbimin Civil, shkaqet e shkëputjes së marrëdhënies së punës, procedurën gjyqësore që zhvillohet tek kontestet e punës, llojet e vendimeve, afatet, mjetet juridike, përgjegjësitë e punëdhënësit në rastet e aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, sigurimin e kushteve për mbrojtje në punë, informimin e punëmarrësve për të drejtat e tyre, të drejtat e punëmarrësve etj.

Nën-moduli” E drejta e Detyrimeve”, synon që gjyqtarëve të sapoemëruar tu ofrojë një ndihmesë në avancimin e njohurive të tyre në zbatimin praktik të dispozitave ligjore në fushën e detyrimeve. Gjatë muajit maj janë trajtuar: karakteristikat dhe klasifikimi i detyrimeve, kontratat e detyrimeve, shuarja e kontratave, mbajtja e përjetshme, kontrata mbi dorëzimin dhe ndarjen e pasurisë, shkaktimi i dëmit si burim i detyrime, shpërblimi i demit, shpërblimi i dëmit të pësuar në aksidentet në punë dhe kundërshtimi i veprimeve juridike të debitorit - padia pauliana.

Në këtë periudhë gjyqtarët e sapo emëruar kanë realizuar trajnimin nga nën moduli “E drejta administrative” i cili ka trajtuar tema që i përkasin procedurës administrative dhe nxjerrjes së aktit administrativ, që i përket organeve të administratës, ndërsa pjesa tjetër ka përfshirë konfliktin administrativ në përgjithësi e që zhvillohet pranë gjykatës kompetente administrative, e cila përfshin seancën e shqyrtimit kryesor dhe marrjen e aktgjykimit në shkallën e parë, si dhe mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike gjithnjë sipas Ligjit për Konfliktet Administrative.    

Në kuadër të trajnimit praktikë, për këtë periudhë është realizuar trajnimi përmes vijimit të praktikës nga ana e gjyqtarëve të sapoemëruar në gjykatat përkatëse, konform orarit të përcaktuar me program. Gjyqtarët e sapoemëruar, gjatë muajit maj po ashtu kanë realizuar trajnimin praktik në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe Administratën Tatimore të Kosovës të cilët kanë pasur mundësi të diskutojnë për rolin, strukturën dhe problemet e shfaqura në praktikë. Po ashtu në këtë përudhë gjyqtarët e sapo emëruar kanë realizuar një tryezë diskutimi lidhur me Udhëzuesin e Politikave Ndëshkimore të Gjykatës Supreme.

Trajnimin fillestar janë duke e ndjekur 54 gjyqtarë të sapoemëruar, ku pesë prej tyre janë nga komuniteti serb.

Objavi :