Më 20-21 nëntor 2018, Akademia e Drejtësisë në mbështetje të projektit të USAID/JSSP realizoi dy trajnime një ditore me temë: “Menaxhimi i rrjedhës së lëndëve nga personeli i gjykatave”.
Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte zbatimi i praktikave më të mira në menaxhimin e rrjedhës së lëndëve, me qëllim të shmangies së paarsyeshme të vonesave gjatë procedimit të lëndëve në gjykatë.
Gjatë trajnimeve janë vënë në pah kryesisht çështjet që shkaktojnë vonesa të panevojshme të procedimit të lëndëve në secilën fazë të rrjedhës së lëndëve, nga aspekti i praktikës gjyqësore dhe legjislacionit, konkretisht vonesat dhe grumbullimi i lëndëve tek procedura e shqyrtimit paraprak dhe procedura e shqyrtimit gjyqësor si dhe vonesat dhe grumbullimi i lëndëve tek shqyrtimi ankimor (civile dhe penale).
Gjatë këtyre trajnimeve janë dhënë rekomandimet mbi zgjidhjet e mundshme në këto çështje, si dhe janë potencuar një sërë parimesh dhe teknikash që duhet zbatuar për të ngritur efikasitetin e procedimit.
Në sesionin e parë kanë marrë pjesë 4 pjesëmarrës nga stafi administrativ i regjionit të Prizrenit, ndërkaq në sesionin e dytë kanë marrë pjesë 14 pjesëmarrës nga stafi administrativ i regjionit të Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Gjakovës dhe Prishtinës. Profili i tyre kryesisht ishte nga radhët e bashkëpunëtorëve profesional, administratorë dhe ndihmës administratorë, shefa të zyrës për menaxhimin e lëndëve, si dhe referentë.
21-11-2018