Më 23 maj 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së, ka realizuar trajnimin me temë “E drejta për liri dhe siguri - neni 5 i KEDNJ”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me rolin, strukturën, dhe detyrimet pozitive nga neni 5 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ).
Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtuan: Përmbajtja e dispozitave dhe nocioneve themelore të nenit 5 të KEDNJ dhe Standardet kryesore në dispozitat e nenit 5 të KEDNJ lidhur me rastin e ndalimit të personit nga ana e shtetit. Në pjesën e dytë të trajnimit u trajtuan: Baza ligjore specifike dhe dispozitat që rregullojnë situatën e të ndaluarit si dhe praktika gjyqësore dhe risitë që sjell ajo lidhur me zbatimin e dispozitave të nenit 5 të KEDNJ.
Që në fillim u zbërthyen kërkesat që përmban neni 5 i KEDNJ - E drejta për liri dhe siguri në kontekst të praktikes gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Gjithanshëm u trajtuan edhe dilemat në praktikë rreth zbatimit të dispozitave të nenit 5 të KEDNJ-së, në këtë kontekst ligjshmëria e paraburgimit, bazat e lejuara, garancitë procedurale, ndalimi pas dënimit, paraburgimi në pritje të depërtimit dhe e drejta për kompensim.
Në këtë trajnim u potencua se neni 5 i KEDNJ-së përfshin elementet kyçe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut të një individi. Privimi nga këto të drejta ka lidhje dhe efekt të drejtpërdrejtë sa i përket gëzimit të shumë të drejtave të tjera, si e drejta e familjes dhe ajo private, e drejta për lirinë e tubimit, të shprehjes e deri tek e drejta e lirisë së lëvizjes. Gjithashtu në këtë sesion u trajtuan standardet të cilat mbrojnë lirinë fizike dhe veçmas lirinë nga arrestimi dhe ndalimi arbitrar duke u shoqëruar me shembuj nga praktika e GJEDNJ.
Gjithashtu u konkludua se gjyqtarët në mënyrë të vazhdueshme duhet të kenë parasysh se me qëllim që liri të tilla të jenë kuptimplote, çdo privim nga ato duhet të jetë gjithmonë vetëm në rrethana përjashtuese, të jetë i justifikuar në mënyrë objektive dhe të mos zgjasë më shumë sesa të jetë absolutisht e nevojshme.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit teorik, duke u bazuar në raste studimore dhe nga parktika gjyqësore e GJEDN duke u shoqëruar me diskutime interaktive të lehtësuara nga trajnuesit, përmes analizës dhe shtjellimeve të tematikës, me fokus në zbatimin e të drejtës për liri dhe siguri konform KEDNJ dhe të shoqëruara përmes detyrave të ndara në grupe të pjesëmarrësve .
Përfituesit: gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës dhe bashkëpunëtorët profesional.
26-06-2019