Vesti i događaji - Arhiva

22-05-2018

Legjislacioni për pyjet, mbrojtjen e natyrës dhe mbrojtjen e ambientit

Më 22 maj 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme ka realizuar trajnimin me temë: “Ligji për Pyjet e Kosovës, mbrojtjen e natyrës dhe mbrojtjen e ambientit”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me zbatimin e drejtë të dispozitave të legjislacionit për pyjet, për mbrojtjen e natyrës, me theks në mbrojtjen e parqeve kombëtare si dhe për mbrojtjen e mjedisit.

Gjatë trajnimit vëmendje e veçantë iu kushtua interpretimit të burimeve të së drejtës mjedisore në Kosovë si një degë e veçantë e sistemit juridik dhe garancioneve kushtetuese dhe ligjore të së drejtës në mjedis, qasjes në informacione mjedisore, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe drejtësisë mjedisore. Po ashtu pjesëmarrësit u njohën me nivelin e zbatimit të Konventës së Aarhusit në Kosovë, instrument ky që detyron shtetet anëtare të sigurojnë qasje në informacione mjedisore, për të mundësuar pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje në çështjet që lidhen me mjedisin, dhe për të siguruar qasje në drejtësi me qëllim të mbrojtjes ligjore të këtyre të drejtave dhe të drejtave të përgjithshme në fushën e mjedisit.

Në trajnim u veçua konkludimi se duke pas parasysh faktin se jemi dëshmitarë të degradimit të ambientit, të dëmtimit të pamëshirshëm të pyjeve, të parqeve kombëtare dhe natyrës në përgjithësi, e që krejt kjo reflektohet detyrimisht në shëndetin e njeriut dhe në kualitetin e jetës në përgjithësi, është e nevojshme që lëndët nga kjo lëmi të trajtohen, me prioritet nga ana e  gjykatave të Kosovës.

Në vazhdim u shtjelluan edhe të gjeturat dhe rekomandimet nga raportet e BE-së për Kosovën, të viteve të fundit të cilët potencojnë se ndonëse Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes në këtë fushë në kuadër të të cilës janë shënuar disa përparime, nevojiten akoma përpjekje të konsiderueshme për të zbatuar legjislacionin në të gjitha fushat e ndryshimit të mjedisit dhe klimës.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e divizioneve për kundërvajtje në gjykatat themelore, nga departamentet e përgjithshme - divizionet penale dhe prokurorë të nivelit themelor.

Objavi :