Më 10-11 shkurt 2017, Instituti Gjyqësor i Kosovës, në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme ka realizuar sesionin e parë të trajnimit lidhur me Programin e Specializuar për Prokurimin Publik në Kosovë.
Ky sesion trajnues kishte për qëllim elaborimin e legjislacionit pozitiv, zhvillimin e njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, rreth procedurave dhe fazave të prokurimit publik si dhe identifikimin e indikatorëve të korrupsionit që lidhen me prokurimin publik.
Fillimisht në kuadër të këtij sesioni trajnues u trajtua legjislacioni primar dhe sekondar që rregullon këtë fushë, ndryshimet legjislative, procedurat e prokurimit publik dhe mënyra e funksionimit të platformës së prokurimit publik elektronik.
Në këtë kontekst u elaboruan rregullat për specifikimet teknike dhe dosja e tenderit, përpilimi i dosjes së tenderit, procesi i vlerësimit të një tenderi, si dhe njoftimi, nënshkrimi dhe ekzekutimi i kontratave publike.
Më tej, trajnimi u fokusua në elaborimin e skemave korruptive dhe problemeve të ndërlidhura me mashtrim, skemat e kurdisjes së ofertave si dhe faktorët që ndikojnë në paraqitjen e këtyre veprave penale të korrupsionit në prokurimin publik.
Gjatë fazës së fundit të këtij sesioni, u diskutua planifikimi i hetimit, përmbajtja e planit të hetimit, ndjekjes, identifikimit të burimeve të informacionit si dhe rëndësia e krijimit të një strukture të hetimit.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit Themelor dhe të Apelit si dhe prokurorë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
11-02-2017