Më 09-10 mars 2017, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Ambasadën e Amerikane, në kuadër të Programit të Trajnimeve të Vazhdueshme, ka realizuar trajnimin dy ditorë me temë “Trafikimi me Qenie Njerëzore”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve në lidhje me legjislacionin vendor dhe kornizën ligjore ndërkombëtare në luftën kundër veprave penale të trafikimit me njerëz, në kontekst të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Në fokus të këtij trajnimi ishte analizimi i hollësishëm i legjislacionit vendor dhe akteve ndërkombëtare që sanksionojnë dhe rregullojnë aspekte të ndryshme që ndërlidhen me elementet, format, procedurat e hetimit, trajtimin e viktimave të trafikimit me qenie njerëzore si dhe format për bashkëpunim efikas kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.
Në veçanti u trajtua Raporti i Trafikimit me Qenie Njerëzore (TIP), si mjeti kryesor diplomatik i Qeverisë së SHBA për të angazhuar qeveritë e huaja mbi Trafikimin me Qenie Njerëzore.
Në kuadër të këtij sesioni trajnues u zhvilluan diskutime për raste konkrete nga praktika rreth formave efikase se si të identifikohen dhe intervistohen fëmijët që mund të jenë viktima të lypjes së detyruar dhe trafikimin duke shfrytëzuar praktikat më të mira të SHBA-ve, cilat janë procedurat standarde të veprimit, Strategjia Nacionale për Luftimin e TQNJ, Roli i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave si dhe dëmshpërblimi dhe kompensimi i viktimave të krimit.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë ligjorë dhe mbrojtës të viktimave.
10-03-2017