Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

23-02-2017

Didaktika gjyqësore

Me 23 shkurt 2017, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me projektin e Binjakëzimit "Mbështetje e mëtutjeshme e reformës për arsimim ligjor" i financuar nga BE, realizoi një punëtori për trajnues me temë “Didaktika gjyqësore”.

Qëllimi i realizimit të punëtorisë ishte përgatitja e një grupi të trajnuesve që do të përdoren për realizimin e aktiviteteve për trajnuesit e ardhshëm rreth përdorimit të metodave dhe teknikave më bashkëkohore të trajnimit.

Gjatë punëtorisë rëndësi ju kushtua trajnimit të bazuar në kompetencë, zbatimit të metodologjisë bashkëkohore dhe përdorimit të teknikave më të avancuara gjatë trajnimit, strukturës dhe dizajnit të programit për Trajnimin e Trajnuesve, trajnimeve për mentorë, si dhe përgatitjes së materialeve trajnuese.

Me tej u shtjellua intensiteti i të mësuarit, metodat e avancuara të trajnimit dhe efikasiteti i këtyre metodave.

Gjatë punëtorisë pjesëmarrësit janë ndarë në dy grupe. Grupi i parë ka pasur për fokus integrimin e teorisë dhe praktikës në programin trajnues veçanërisht në Programin e Trajnimit Fillestar, ndërkaq grupi i dytë  në fokus kishte programin dhe strukturën e trajnimit për trajnues dhe sigurimin e cilësisë së trajnimeve.

Çështjet të cilat janë diskutuar në grupe, do të jenë në fokus në punëtoritë e radhës me qëllim të përmirësimit të cilësisë së programeve trajnuese.

Kjo punëtori u realizua nga ekspert ndërkombëtar të fushës së trajnimeve gjyqësore me mbështetjen e stafit të IGJK-së.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin gjyqtarë, prokurorë, të gjithë trajnues të IGJK-së. 

Shpërndaje :