Më 11 maj 2017, Akademia e Drejtësisë me mbështetjen e UNICEF-it, ka realizuar trajnimin nga fusha penale e Drejtësisë për Fëmijë me temë “Masat e diversitetit”.
Trajnimi u realizua me qëllim që pjesëmarrësve t’iu ofroj mundësi për ngritjen e njohurive dhe shkathtësive në zbatimin e drejtë të dispozitave ligjore vendore, dhe familjarizimi me standardet ndërkombëtare që rrjedhin nga Konventa e OKB-së për Drejtat e Fëmijës, në drejtim të harmonizimit të praktikës gjyqësore me rastin e shqiptimit të masave të diversitetit.
Fillimisht në këtë trajnim u elaborua qëllimi i masave të diversitetit, kushtet për shqiptimin e tyre, ndaj kujt dhe për çfarë vepra penale shqiptohen masat e diversitetit, masat adekuate të diversitetit për situata specifike, llojet e masave të diversitetit dhe organet kompetente për shqiptimin e masave të diversitetit.
Më tutje u diskutua për kufirin e moshës së përgjegjësisë penale, procedurën, mundësinë e shqiptimit të sanksionit – dënimeve apo masave ndaj fëmijës, si dhe risitë dhe ndryshimet e propozuara për Kodin e Drejtësisë për të Mitur.
Trajnimi u zhvillua me diskutime interaktive nga gjyqtarët dhe prokurorët pjesëmarrës, të cilët ngritën dilemat dhe paqartësitë rreth interpretimit dhe implementimit të dispozitave në procesin e vendimmarrjes nga gjykatat, duke përfshirë edhe shembuj nga praktika gjyqësore.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë, prokurorë të nivelit themelor nga Departamenti për të Mitur.
11-05-2017