Nga data 19-25 qershor 2017, në Budva të Malit të Zi, gjyqtarë dhe prokurorë nga Kosova kanë marrë pjesë në punëtorinë për trajnimin e trajnuesve për shtetet e Ballkanit Perëndimor me temë: “Bashkëpunimi mbi krimin Kibernetik, me fokus të ardhurat nga krimi përmes internetit” i organizuar nga Zyra e Programit për Krim Kibernetik të Këshillit të Evropës, njësia përgjegjëse e vendosur në Bukuresht.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte ngritja e kapaciteteve profesionale në zbatimin e hetimeve dhe procedurave që duhet ndjekur për luftimin e krimit kibernetik.
Punëtoria ishte e fokusuar në dhënien e njohurive për krimin kibernetik dhe provat elektronike, hetimin financiar dhe procedura që duhet ndjekë për krimet kibernetike, veprimet e policisë, prokurorisë dhe gjykatës, procedurat ligjore dhe teknologjike që duhet ndërmarrë në këto raste, dhe ndërmarrja e veprimeve në raste urgjente lidhur me bashkëpunimin vendor dhe ndërkombëtar dhe efikasiteti.
Ditët e para të punëtorisë pjesëmarrësit kishin mundësinë të përfitojnë njohuri më të detajuara lidhur me zbatimin e hetimeve për rastet e krimeve kibernetike, ndërmarrjen e veprimeve hetimore të prokurorit në identifikimin dhe zbulimin e të dyshuarve të krimeve online, teknologjitë informative dhe komunikuese të përdorura, zbatimin e masave të fshehta dhe procedurave për sekuestrimin e aseteve dhe dobisë pasurore të fituar me kryerjen e këtyre vepre penale dhe veprave penale të kryera me anë të internetit si: pornografia e fëmijëve dhe shpëlarja e parave, e po ashtu mësimi i praktikave, metodave dhe shkathtësive më të avancuara për cilësitë e trajnuesit.
Një pjesë e punëtorisë i është kushtuar diskutimeve lidhur me dispozitat e ligjit material të secilit vend që zbatohen lidhur me veprat penale të krimeve kibernetike dhe harmonizimit të tyre me aktet ndërkombëtare, konkretisht me Konventën e Budapestit, Vendimin Kornizë të Këshillit të Evropës dhe Direktivat e BE-së. Pjesa tjetër e trajnimit ka përmbajtur tema dhe diskutime për Pikat e Kontaktit të vendosura në secilin shtet për shkak të lehtësimit të bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar, me theks të veçantë në raste urgjente.
Në bazë të udhëzimeve, secili vend pjesëmarrës, ka bërë prezantimin si trajnues për krimin kibernetik para ekspertëve dhe pjesëmarrësve, ku edhe janë vlerësuar shkathtësitë trajnuesve nga ekspertët e Komisionit Evropian.
Pjesëmarrësit nga Kosova ofruan propozimet lidhur me nevojat specifike për luftimin e krimit të kësaj fushe, duke përfshirë aktivitetet që do të ndërmerren në të ardhmen për të plotësuar boshllëqet ligjore me të cilat ballafaqohen në praktikë. Më tej, institucionet me të cilat nevojitet bashkëpunimi vendor dhe ndërkombëtar, analizat për krim kibernetik dhe trajnimet e specializuara që duhet të organizohen në ngritjen e kapaciteteve në luftimin e krimit kibernetik, teknologjisë informative e komunikuese, duke e zbatuar kornizën ligjore që aplikohet për këtë lloj të krimit, si dhe reformat legjislative në përputhshmëri të legjislacionit përkatës dhe harmonizimin me legjislacionin e BE-së.
Kjo punëtori ishte frytdhënëse veçanërisht për pjesëmarrësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e këtij projekti, përkatësisht përfaqësuesit nga Kosova, Bosnja, Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, dhe Turqia, meqë janë marrë informacione për teknikat më të avancuara të një trajnuesi nga ekspertët e specializuar për këtë lëmi.
Gjithashtu janë shkëmbyer përvojat me pjesëmarrësit e të gjitha vendeve për problemet e shumta dhe sfidat që hasin në këtë fushë si dhe janë adresuar çështjet në interes të fuqizimit të bashkëpunimit në të ardhmen.
Në përbërje të delegacionit nga Kosova ishin: Laura Pula, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Ikramije Bojaxhiu, Prokurore në Prokurorinë Themelore, Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, Skënder Çoçaj, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren si dhe Vesel Ismajli, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të cilët ndërmjet këtij trajnimi janë përgatitur që të zbatojnë trajnimet e organizuara nga Akademia e Drejtësisë në fushën e krimit kibernetik.
25-06-2017