Më 23 qershor 2017, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV, ka realizuar trajnimin me temë “Procedura për privatizimin e subjekteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me procedurat e privatizimit të subjekteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, rolin e Agjencisë në procesin e privatizimit; verifikimin dhe shpalljen e fituesit të përkohshëm; aprovimin dhe refuzimin e ofertës; dhe ofertuesit me ndalesa ofertimi.
Gjithashtu trajnimi ofroj përgjigje edhe në pyetjet: A ka shkelje të procedurave nga AKP, me rastin e aprovimit apo refuzimit të ofertave? Në çfarë gjendje ndodheshin NSH-të në Kosovë pas luftës, sa ishin borxhet e tyre? Cilat janë vështirësitë e gjyqësorit në zgjidhjen e rasteve të kësaj natyre që paraqiten para saj?
Në këtë trajnim u shqyrtua edhe gjendja e përgjithshme në Kosovë që i parapriu paraqitjes së nevojës për privatizimin dhe likuidimin adekuat dhe me kohë të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore. Marrë parasysh se pasiguria e vazhdueshme juridike lidhur me pronësinë e këtyre ndërmarrjeve dhe aseteve ishte duke i penguar në masë të madhe investimet dhe funksionimin e këtyre ndërmarrjeve dhe aseteve, po ashtu duke kuptuar se kjo pasiguri juridike ishte duke ndikuar në mënyrë serioze dhe negative në situatën e përgjithshme ekonomike dhe sociale në Kosovë, u shtrua edhe nevoja e nxjerrjes së ligjeve, akteve ligjore dhe nënligjore të cilat rregullojnë çështjen e procesit të privatizimit.
Gjithanshëm u trajtua dhe u analizua problemet aktuale në praktik, duke njohur dhe kuptuar më mirë rolin e Agjencisë në procesin e privatizimit në Kosovë; zbatimin e drejtë të procedurave për privatizimin e subjekteve; dhe identifikimin se cilët janë personat me ndalesa ofertimi.
Këto dhe dilema tjera të ngritura nga pjesëmarrësit u trajtuan në thellësinë e tyre përmes diskutimeve të pjesëmarrësve dhe elaborimeve të trajnuesve duke nxjerr përfundime adekuate.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, gjyqtarët e gjykatave themelore - divizioni civil dhe zyrtarë të AKP-së.
23-06-2017