Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

16-09-2017

Program i Specializuar Trajnimi për Prokurimin Publik të Kosovës Sesioni II

Më 15-16 shtator 2017, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, organizoi sesionin e dytë të trajnimit me temën “Program i Specializuar Trajnimi për Prokurimin Publik të Kosovës” .

Synimi i këtij trajnimi ishte që pjesëmarrësit të zhvillojnë njohuritë rreth fazës së implementimit të kontratës dhe hetimin e gjykimin e veprave penale të kësaj natyre.

Seanca e trajnimit u nda në dy pjesë, në ditën e parë të trajnimit u trajtua faza e implementimit të kontratës, vlerësimi i nevojave/përcaktimi i kërkesave, përgatitja/procesi i dizajnimit dhe përgatitja  dokumenteve të ofertimit, zgjedhja e kontraktorit dhe faza e dhënies së çmimit.

Ndërsa në ditën e dytë të trajnimit pjesëmarrësit u njoftuan me: skemat korruptive dhe problemet e ndërlidhura me mashtrim, si të bëhet planifikimi i hetimit dhe ndjekjes. Me theks të veçantë u trajtuan edhe praktikat e ndryshme të kundërligjshme, konflikti i interesit, skemat e kurdisjes së ofertave, ofertomi konspirativ, skemat mashtruese, përmbajtja e planit të hetimit, identifikimi i burimeve të informacionit,  planifikimi i kontrollit të shtëpisë dhe përgjimi,  planifikimi i përdorimit të informatorëve si dhe planifikimi i gjurmimit të aseteve.

Përfitues te këtij sesioni trajnues ishin gjyqtar dhe prokurorë të nivelit themelor nga regjione të ndryshme të Kosovës.

 

Shpërndaje :