Nën organizimin e TAIEX me 13-14 dhjetor 2017, është duke u mbajtur punëtoria “Standardet e BE-së për Trajnimin Fillestar për gjyqtarë dhe prokurorë”.
Qëllimi i punëtorisë është avancimi i njohurive të pjesëmarrësve me standardet e BE-së në lidhje me përzgjedhjen dhe trajnimin fillestar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm, shkëmbimi i praktikave dhe eksperiencave më të mira rreth përzgjedhjes së kandidatëve në programin fillestar.
Punëtoria trajton standardet e BE-së për trajnimin fillestar, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, provimet hyrëse, hartimin e moduleve të trajnimit, si dhe vlerësimin dhe monitorimin e trajnimit fillestar.
Kjo punëtori ofron shkëmbimin e praktikave më të mira midis përfaqësuesve të akademive gjyqësore nga vendet e IPA-s dhe ekspertëve të Institutit Belg të Trajnimit Gjyqësor, Rrjeti Evropian i Trajnimit Gjyqësor në Bruksel, gjyqësorit suedez, Qendrës Holandeze të Trajnimit dhe Studimit të Gjyqësorit, Shkollën Kombëtare Franceze të Magjistraturës dhe Shkollën Evropiane të Zbatimit të Bullgarisë.
Pjesëmarrës në punëtori janë përfaqësues nga Institucionet e Trajnimit Gjyqësor nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Turqia, Serbia dhe Maqedonia.
Akademia e Drejtësisë në këtë takim përfaqësohet nga: Valon Kurtaj, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, Valmira Pefqeli, Udhëheqëse e Programit të Trajnimit Fillestar dhe Melihate Rama, Udhëheqëse e Divizionit të Programit për Trajnime të Vazhdueshme.
13-12-2017