Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

01-03-2018

Ligji për Shoqëritë Tregtare

Më 01 mars 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, organizoj trajnimin me temë “Ligji për Shoqëritë Tregtare”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me shoqëritë tregtare, strukturën rolin dhe rëndësinë e tyre në Republikën e Kosovës.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan mënyrat e organizimit, struktura e kapitalit, të drejtat dhe detyrimet e pronarëve, zyrtarëve të shoqërive tregtare, përfaqësuesve të tyre dhe personave të tretë. Ndërsa në pjesën e dytë u vazhdua me trajtimin procedurave ligjore dhe aplikimin e tyre në mbrojtjen e të drejtave që rrjedhin nga shoqëritë tregtare.

Në vazhdim u trajtuan çështjet e ekspertizës profesionale të gjyqtarëve në këtë lëmi, si të realizohet praktika gjyqësore në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, u paraqiten përvojat dhe praktikat më të mira të shteteve në rajon dhe format e aplikimit në mënyrë efikase të instrumenteve ndërkombëtare që rregullojnë këtë sferë. Në  fokus  të  trajnimit  ishte edhe analizimi  i koncepteve kryesore dhe parimeve të shoqërive tregtare (SHT), problemeve me praktikat e kaluara dhe atyre aktuale të ushtrimit të afarizmit në Kosovë, zhvillimi i shoqërive tregtare në Evropë, zgjidhja gjyqësore e kontesteve të aksionarëve dhe strukturave udhëheqëse të korporatave dhe bazave tatimore në Kosovë për shoqëritë tregtare.

Në trajnim u veçua se Ligji për Shoqëritë Tregtare, parasheh udhëzime për një shoqëri që dëshiron të ushtrojë afarizëm në Kosovë, promovon një kornizë ligjore për investitorët e huaj të cilët synojnë të hyjnë në tregun e Kosovës, ashtu edhe për afaristët vendorë të cilët aspirojnë rritjen dhe zgjerimin e biznesit të tyre, është i bazuar në modelin austro-gjerman, ofron disa forma themelore të organizimit të biznesit me të cilat investitorët e huaj janë të familjarizuar, por me kalimin e kohës, do të jetë e nevojshme që edhe ky ligj të ndryshohet dhe plotësohet në mënyrë që t’i përshtatet nivelit të përsosjes së komunitetit afarist dhe atij juridik në Kosovë.

Gjatë trajnimit pjesëmarrësit debatuan lidhur me llojet e shoqërive tregtare përmes të cilave mund të zhvillohen veprimtaritë afariste, kushtet e regjistrimit, strukturën juridike të shoqërive tregtare si dhe të drejtat dhe detyrimet e pronarëve/aksionarëve, menaxherëve, drejtorëve, përfaqësuesve juridik dhe palëve të treta, dispozitat ligjore të cilat lehtësojnë themelimin, funksionimin dhe shpërbërjen e rregullt të SHT, inkurajimin e ndërmarrësisë përmes kufizimit të detyrimeve të investitorëve dhe tërheqjen e kapitalit të huaj.

Në trajnim u përdoren metoda si shpjegime të pjesshme teorike, shembuj të rasteve konkrete, diskutime dhe detyra të përpiluara për aplikimin e koncepteve të strukturave afariste në situata praktike mbi parimet dhe rregullat kryesore lidhur me shoqëritë tregtare.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët nga Departamenti për Çështje Ekonomike i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit si dhe gjyqtarët e Gjykatës së Apelit dhe gjykatave themelore –divizionet civile si dhe bashkëpunëtorët profesional.

Shpërndaje :