Më 20 shkurt 2018, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, ka realizuar trajnimin me temë “Barazia gjinore në procedurë gjyqësore në përgjithësi, dhe në rastet e dhunës në familje, në veçanti”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me trajtimin e barazisë gjinore në procedurë gjyqësore, në rastet e dhunës në familje në veçanti, duke trajtuar gjithanshëm aspektin teorik dhe atë praktik.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtua legjislacioni ndërkombëtarë dhe vendor për barazinë gjinore, dhuna në familje dhe format e shfaqjes së saj me fokus gjinor dhe urdhri për mbrojtje, kushtet për caktimin e urdhrit për mbrojtje si dhe masat për parandalimin e dhunës. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan procedura gjyqësore për vendosje sipas kërkesës për urdhër mbrojtje, hartimi dhe arsyetimi i vendimit sipas specifikave të çështjes duke respektuar dispozitat ligjore, ekzekutimi i urdhrit për mbrojtje dhe pasojat për shkelje të urdhrit për mbrojtje.
Në trajnim u veçua se parimi bazë i procedurave gjyqësore në shoqëritë demokratike, ku garantohen të drejtat dhe liritë e njeriut, është barazia e palëve në procedura gjyqësore dhe parimi i barazisë gjinore. Në Republikën e Kosovës, barazia e palëve në procedurë është e garantuar me Kushtetutë, me konventa ndërkombëtare dhe me ligjet e brendshme.
Gjithashtu u potencua se qëllimi parësor i Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje është parandalimi i dhunës në familje në të gjitha format e saj. Andaj për përmbushjen e këtij qëllimi ligji ka paraparë një mori masash mbrojtëse kundër dhunës në familje, siç janë: masat mbrojtëse të trajtimit psiko social, masat mbrojtëse të ndalimit të afrimit të viktimës së dhunës në familje, masa mbrojtëse e ndalimit të shqetësimit të personave të ekspozuar dhunës, masa mbrojtëse e largimit nga banesa, shtëpia apo hapësira tjetër e banimit, masa mbrojtëse e shoqërimit të viktimës së dhunës, masa mbrojtëse e trajtimit mjekësor nga varësia prej alkoolit dhe substancave psikotropike, masa mbrojtëse e marrjes së sendit dhe masat mbrojtëse pasurore të cilat u shpjeguan një nga një dhe në bashkëbisedim me pjesëmarrësit.
Në trajnim u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit duke përfshirë shpjegime teorike dhe të përcjella me shembuj praktik.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore, prokurorët e prokurorive themelore, bashkëpunëtorët profesional të gjykatave dhe mbrojtësit e viktimave në Republikën e Kosovës.
20-02-2018