Më 02 maj 2018, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit të Trajnimit të Vazhdueshëm, në mbështetje të projektit: “Programi i USAID për Fuqizimin e Sektorit të Drejtësisë në Kosovë (JSSP)” ka realizuar trajnimin për gjyqtarët e regjionit të Gjilanit me temë “Etika Gjyqësore”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte ofrimi i informatave më të hollësishme mbi Kodin e Etikës Profesionale për Gjyqtarë përmes diskutimeve dhe prezantimit të rasteve, me qëllim që gjyqtarët të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë korrekte dhe të drejtë në pajtim me dispozitat e Kodit të Etikës për Gjyqtar.
Me rastin e këtij trajnimi vëmendje parësore iu kushtua rasteve hipotetike duke identifikuar sjelljet e pahijshme dhe njëkohësisht duke zbërthyer dispozitat e Kodit të Etikës për Gjyqtar veçanërisht të komunikimet midis një pale dhe gjyqtarit, përdorimi i mediave sociale, marrja e një dhurate, madje edhe e një vlere minimale, të cilat mund të krijojnë perceptimin e publikut se ekziston korrupsioni në sistemin gjyqësor.
Gjatë trajnimit si nga trajnuesit ashtu edhe nga gjyqtarët pjesëmarrës u theksua se gjyqtarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të matur në mënyrë që të veprojnë me integritet, si në jetën e tyre private ashtu edhe në jetën profesionale.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët nga Gjykata Themelore në Gjilan duke përfshirë edhe gjyqtarët nga degët si Vitija dhe Kamenica.
02-05-2018