Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

15-03-2019

Përpilimi i mjeteve juridike në procedurën kundërvajtëse

Më 15.03.2019 Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve për profesionet e lira, me kërkesën e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në mbështetje të UNDP-së ka realizuar trajnimin me temë: ''Përpilimi i mjeteve juridike në procedurën kundërvajtëse''. 

Qëllimi i këtij trajnimi ishte zbatimi i drejtë i dispozitave të Ligjit për Kundërvajtje dhe krijimi i praktikave më të mira në ofrimin e ndihmës juridike në rastet e tilla nga ana e zyrtarëve të ndihmës juridike falas.

Me rastin e këtij trajnimi u trajtuan konceptet themelore rreth përcaktimit të veprës kundërvajtëse me ligj si dhe çështjet tjera si: parimet që duhet të zbatohen, përgjegjësia kundërvajtëse (përgjegjshmëria dhe papërgjegjshmëria), mjetet juridike (të rregullta dhe të jashtëzakonshme), arsyet e paraqitjes së mjeteve juridike, si dhe shkeljet esenciale. Gjithashtu vëmendje të veçantë i është kushtuar procedurës sipas ankesës duke e ditur se një numër i madh i ankesave në gjykatë vijnë të përpiluara nga zyrtarët e Ndihmës Juridike Falas. Lidhur me këtë janë ofruar këshilla se si duhet të veprohet në këtë procedurë si dhe janë ofruar praktikat më të mira të hartimit të shkresave.

Në pjesën e pasdites pjesëmarrësit patën rastin që përmes punës të ndarë në katër grupe të demonstrojnë shkathtësitë e përpilimit të ankesës për 4 situata të ndryshme hipotetike si në vijim: në  përpilimin e ankesës për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave kundërvajtëse, për shkak të shkeljeve të ligjit material, për shkak të vërtetimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike si dhe për shkak të lartësisë së shqiptimit të dënimit.  

Me rastin e prezantimit të punës në grupe, pjesëmarrësit shpalosën përvojën e tyre duke shfrytëzuar njohuritë që morën gjatë pjesës së parë të trajnimit si dhe përvojat e tyre në këtë fushë duke përfunduar në mënyrë korrekte detyrat që u janë dhënë.

Vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe rasteve praktike të zyrtarëve të ANJF në trajtimin e rasteve në procedurën kundërvajtëse duke adresuar zgjidhjet në pajtim me dispozitat ligjore.                 

Përfitues në këtë trajnim ishin  zyrtarët e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nga gjitha regjionet. Pjesëmarrës në trajnim ishin edhe përfaqësues të OJQ-ve si CRPK, CLARD, NORMA si dhe Femrat Aktive të Gjakovës.

Shpërndaje :