Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

20-03-2019

“E DREJTA NË PRONË – - Pronësia e Përbashkët, Bashkëpronësia dhe Pasuria e Përbashkët”

Më 20 mars 2019 në Gjilan si dhe me 21 mars 2019 në Mitrovicë,  Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme me përkrahjen  e USAID-it - ”Programi i të Drejtave Pronësore – Property Rihgts Programe”  organizoj trajnimin me temë: “E Drejta në pronë: Pronësia e Përbashkët, Bashkëpronësia dhe Pasuria e Përbashkët”.

Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve mbi bashkëpronësinë dhe pronësinë e përbashkët në Kosovë dhe trendët bashkëkohore si dhe zbatimi i drejtë i legjislacionit në fuqi në vendosjen e kontesteve pronësoro juridike. 

Me rastin e këtyre trajnimeve  u zbërthye se çka përbën pasuri e përbashkët e bashkëshortëve, natyra juridike e saj dhe çka është pasuria e veçantë e bashkëshortëve, çka përfshin kontributi i bashkëshortëve në krijimin e pasurisë së përbashkët dhe si të vendoset drejtë dhe në mënyrë ligjore në kontestet në mes të bashkëshortëve kur kanë mosmarrëveshje për pasurinë e përbashkët si dhe disa probleme aktuale në praktikën gjyqësore kosovare.

Vëmendje të veçantë i është kushtuar bashkëpronësisë, të drejtat e bashkëpronarit, administrimi i bashkëpronësisë dhe shuarja e bashkëpronësisë sipas Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore (LPDTS) . Në këtë pjesë është trajtuar edhe pronësia e përbashkët sipas këtij ligji si dhe pasuria e përbashkët sipas Ligjit për Familjen i Kosovës (LFK-së) duke vënë në pah karakteristikat themelore dhe dallimet në raport me bashkëpronësinë, pasuria e përbashkët e bashkëshortëve, sendet të cilat e përbëjnë pasurinë e përbashkët dhe pasuria e fituar me punë gjatë vazhdimit të martesës.

Në vazhdim gjatë këtyre trajnimeve është trajtuar: Pasuria e fituar në bazë të kontratës aleatore, paraja, sendet e blera me kredi, dhuratat që u jepen bashkëshortëve, përgjegjësia për borxhet, administrimi dhe disponimi me pasurinë e përbashkët dhe ndarja e pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve.

Gjatë këtyre trajnimeve përmes rasteve praktike u mundësua identifikimi dhe dallimi i lehtë i formave të të drejtave të pronësisë dhe vendosja e rasteve lidhur me to, e veçmas përcaktimi i të drejtave të pronarëve të përbashkët duke përfshirë edhe të drejtën e pjesëtimit të pronësisë së përbashkët dhe mënyrën e pjesëtimit. Po ashtu u shpjegua zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore në rastet e vërtetimit të kontributeve të bashkëshortëve te pronësia e përbashkët e bashkëshortëve si njëri ndër problemet e mëdha në praktikën gjyqësore në Republikën e Kosovës.

Përfitues të këtyre trajnimeve ishin gjyqtarët  dhe bashkëpunëtorët profesional të Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ferizajt, si dhe Mitrovicës.

Shpërndaje :