Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

05-04-2019

E DREJTA NË PRONË – Pronësia e Përbashkët, Bashkëpronësia dhe Pasuria e Përbashkët

Më 3 prill 2019 në Pejë si dhe me 5 prill 2019 në Prishtinë,  Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme me përkrahjen  e USAID-it - ”Programi i të Drejtave Pronësore – Property Rihgts Programe”  organizoj trajnimet e radhës regjionale me temë: “E Drejta në pronë: Pronësia e Përbashkët, Bashkëpronësia dhe Pasuria e Përbashkët”.

Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve mbi bashkëpronësinë dhe pronësinë e përbashkët në Kosovë dhe trendët bashkëkohore si dhe zbatimi i drejtë i legjislacionit në fuqi në vendosjen e kontesteve pronësoro juridike. 

Në pjesën e parë të këtyre trajnimeve janë trajtuar: Bashkëpronësia sipas Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore (LPDTS) - Kuptimi dhe objekti i bashkëpronësisë, të drejtat e bashkëpronarit, administrimi i bashkëpronësisë dhe shuarja e bashkëpronësisë. Në këtë pjesë është trajtuar edhe pronësia e përbashkët sipas LPDTS-së si dhe pasuria e përbashkët sipas Ligjit për Familjen i Kosovës (LFK-së) - Karakteristikat themelore dhe dallimet në raport me bashkëpronësinë, pasuria e përbashkët e bashkëshortëve, sendet të cilat e përbëjnë pasurinë e përbashkët dhe pasuria e fituar me punë gjatë vazhdimit të martesës.

Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan: Pasuria e fituar në bazë të kontratës aleatore, paraja, sendet e blera me kredi, dhuratat që u jepen bashkëshortëve, përgjegjësia për borxhet, administrimi dhe disponimi me pasurinë e përbashkët dhe ndarja e pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve. 

Trajnimet u fokusuan në ofrimin e njohurive për gjyqtarët mbi bashkëpronësinë dhe pronësinë e përbashkët në Kosovë si dhe trendet bashkëkohore, çfarë përbën pasuri e përbashkët e bashkëshortëve, natyra juridike e saj dhe cka është pasuria e veçantë e bashkëshortëve. Në vazhdim është zbërthyer se çka përfshin kontributi i bashkëshortëve në krijimin e pasurisë së përbashkët dhe si të vendoset drejtë dhe në mënyrë ligjore në kontestet në mes të bashkëshortëve kur kanë mosmarrëveshje për pasurinë e përbashkët si dhe disa probleme aktuale në praktikën gjyqësore kosovare.

Gjithashtu u ofruan njohuri për praktikën gjyqësore të gjykatave kompetente lidhur me vendosjen e kontesteve pronësoro juridike sipas legjislacionit në fuqi duke u thelluar në konceptet kryesore të dala nga kjo praktikë. Përmes shpjegimeve u mundësua identifikimi dhe dallimi i lehtë i këtyre formave të së drejtave të pronësisë dhe vendosja e rasteve lidhur me to, e veçmas përcaktimi i të drejtave të pronarëve të përbashkët duke përfshirë edhe të drejtën e pjesëtimit të pronësisë së përbashkët dhe mënyrën e pjesëtimit. Njashtu u shpjegua zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore në rastet e vërtetimit të kontributeve të bashkëshortëve te pronësia e përbashkët e bashkëshortëve si njëri ndër problemet e mëdha në praktikën gjyqësore në Republikën e Kosovës.

Gjatë këtyre trajnimeve u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore dhe duke u shoqëruar me diskutime interaktive të lehtësuara nga ekspertët, përmes materialit të ofruar, analizës dhe shtjellimeve të tematikës, me fokus në zbatimin e drejtë dispozitave ligjore në praktikë nga gjykatat kompetente si dhe përmes  shpjegimeve të dispozitave ligjore për pronësinë e përbashkët, bashkëpronësinë dhe pasurinë e përbashkët”.

Përfitues në trajnimin në Pejë ishin gjyqtarët dhe bashkëpunëtorët profesional të nivelit themelor nga Gjykata e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, ndërkaq në trajnimin në Prishtinë gjyqtarët dhe bashkëpunëtorët profesional nga regjioni i Prishtinës.

Shpërndaje :