Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

24-04-2019

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në kontestet martesore – familjare

Më 23-24 prill 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të (PTV) me përkrahjen e UNICEF-it ka realizuar trajnimin me temë “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në kontestet martesore – familjare”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me zbatimin e mbrojtjes efikase dhe efektive të të drejtave të fëmijëve gjatë procedurës së shkurorëzimit dhe zbatimin e drejtë të ligjit me rastin e besimit, ruajtjes dhe kujdesit të fëmijëve.

Në ditën e parë të këtij trajnimi u trajtuan: parimet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve sipas legjislacionit vendor dhe ndërkombëtarë, kriteret që merr për bazë gjykata në rastet e besimit të fëmijëve dhe parimet për përcaktimin e alimentacionit. Ndërsa në ditën e dytë të trajnimit, u trajtuan: roli aktiv që duhet të ketë gjykata në këto konteste dhe rrëmbimi ndërkombëtar i fëmijëve në çështjet civile-procedura.

Në këtë trajnim fokusi ishte tek kontestet martesore-familjare dhe numri i tyre që vazhdimisht është në rritje në gjykatat tona. U konkludua se kontestet martesore-familjare janë mjaft komplekse për shkak të natyrës së tyre dhe se roli i gjykatës në këto konteste nuk është vetëm shqyrtues por edhe hetues. Krahas analizimit të rolit të gjykatës në kontestet martesore-familjare u trajtua edhe rrëmbimi i fëmijëve pasi kjo tematikë në vitin 2010 është rregulluar me ligj, që është një risi për sistemin tonë gjyqësor.

Përmes analizës krahasuese për pjesmarrësit u ofruan rekomandime për rolin aktiv që duhet të ketë gjykata në rastet kur pjesë e procedurave janë të miturit. Në këtë kontekst u potencua se gjyqtarët dhe kuadri tjetër i cili përfshihet në procedurat ku shtrohet nevoja e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve duhet të jenë në gjendje që me kompetencë profesionale e duke zbatuar standardet më të larat vendore e ndërkombëtare, fëmijëve t’u ofrojnë mbrojtjen e të drejtave sipas parimit të interesit më të mirë për të miturit, i cili parim duhet të jetë pikësynim mbizotërues në çdo rast dhe procedurë.

Në këtë trajnim duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore u ofruan përgjigje në pyetjet dhe dilemat, duke analizuar legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar mbi çështjet e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në kontestet martesore–familjare.

Përfitues ishin gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, gjyqtarët e gjykatave themelore, bashkëpunëtorët profesional dhe zyrtarët e Organit të Kujdestarisë.

Shpërndaje :