Më 30 prill 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së, ka realizuar trajnimin me temë “Menaxhimi i kohës si predispozitë në menaxhimin e stresit”. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me menaxhimi e kohës si predispozitë në menaxhimin e stresit.
Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtuan: Faktorët e stresit, llojet e stresit, shenjat dhe simptomat paralajmëruese të stresit. Ndërsa në pjesën e dytë të trajnimit u trajtuan: stresi në punë dhe administrimi i kohës.
Që në fillim u potencua se jeta e përditshme në botën moderne shoqërohet me paraqitjen e stresit dhe llojeve të ndryshme të tij, e sidomos kur kemi të bëjmë me ushtrimin e funksionit të gjyqtarit dhe prokurorit. Stresi paraqitet si një tërësi e reagimeve emocionale, trupore dhe të sjelljes ndaj atyre kërkesave, sfidave dhe ngarkesave të cilave individi u nënshtrohet në rrethana të ndryshme të punës e jetës. Në përgjithësi stresi është pasojë dhe tregues i një “ngufatje” të jetës shpirtërore. Prezenca e shpeshtë e stresit në përditshmërinë e individit shkakton de-motivimin, redukton produktivitetin, dobëson performancën, shkakton probleme mentale fizike dhe ndryshon sjelljen e individit.
Në vazhdim u konkludua se menaxhimi i mirë i kohës dhe prioritizimi i nevojave janë nga predispozitat e menaxhimit të mirë dhe mbajtjes nën kontroll të vazhdueshëm të stresit si parakusht i ruajtjes së shëndetit dhe mirëqenies së individit. Shumë njohës të kësaj problematike preferojnë vendosjen e kufijve si teknikë e parandalimit të efektit negativ të stresit. Vendosja e kufijve material dhe formal, si dhe përmbajtja e kufijve emocional janë elementet e përmbajtjes së kësaj teknike.
Në këtë trajnim u shtjellua edhe tematika e zhvillimit të shkathtësive të ruajtjes së shëndetit, kultivimit të vlerave profesionale dhe ruajtja e balancit emocional e mental si predispozita të ushtrimit të suksesshëm të profesionit të gjyqtarit dhe prokurorit.
Po ashtu temë fokusi ishte edhe djegja profesionale, apo konsumimi profesional, dekadenca morale si dhe aftësimi për rezistimin dhe tejkalimin e suksesshëm të situatave stresuese. U konstatua se kultivimi i një fryme inkurajuese e stimuluese në mjedisin e punës për përmbushjen sa ma cilësore të detyrave të punës ndikon në ushtrimin dinjitoz të funksionit të gjyqtarit dhe prokurorit.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të teorik, duke u bazuar në raste studimore dhe duke u shoqëruar me diskutime interaktive të lehtësuara nga trajnuesit, përmes analizës dhe shtjellimeve të tematikës, me fokus në zbatimin e metodave efikase për menaxhimin e mirë të kohës si predispozitë e menaxhimit të stresit.
Përfitues ishin gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës.
30-04-2019