Më 13 maj 2019, Akademia e Drejtësisë me përkrahjen e UNHCR-të në kuadër të PTV-së, ka realizuar trajnimin me temë “Zbatimi i Ligjit për Azilin në Republikën e Kosovës”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me rolin e akteve ndërkombëtare për azilin dhe legjislacionit në fuqi për azilin me rastin e vendosjes për azilin si dhe roli i palëve në procedurën e azilit që zhvillohet në Republikën e Kosovës.
Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtuan: E Drejta Ndërkombëtare për Refugjatët - Konventën Ndërkombëtare për Azilin dhe rëndësia e zbatimit të Ligjit për Azilin i Kosovës. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan: Zbatimi i legjislacionit për azilin në çështjet për azilin - raste nga praktika gjyqesore dhe raste studimore e shembuj nga praktika gjyqësore nacionale dhe e shteteve në rajon lidhur me azilin.
Që në fillim u shpjegua roli i Konventës Ndërkombëtare për Azilin dhe raporti i Ligjit për Azilin i Kosovës me këtë Konventë. Gjithanshëm u trajtua zbatimi i dispozitave që kanë të bëjnë me procedurën lidhur me kërkesën e azilkërkuesve të ushtruar pranë Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komisionit Kombëtar për Refugjatë të Kosovës si dhe procedura e konfliktit administrativ pranë gjykatës kompetente.
Çështjet në fokus ishin edhe dilemat që ndërlidhen me statusin dhe qëndrimin e personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare, procedurën ligjore të mbajtjes dhe dëbimit të tyre nga Republika e Kosovës në bazë të dispozitave të Ligjit për Azilin si dhe zbatimin e drejtë të tyre nga organet kompetente të Republikës së Kosovës.
Në këtë trajnim u potencua se në Republikën e Kosovës, nuk duhet të dëbohet ose kthehet refugjati në asnjë mënyrë në kufijtë e territoreve, ku do të kërcënohet jeta apo liria e azilkërkuesit për arsye të racës, religjionit, përkatësisë kombëtare, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror apo bindjeve të tij politike. Republika e Kosovës, iu njeh të drejtën e azilit shtetasve të huaj apo personit pa shtetësi me kërkesën e tij, i cili plotëson kriteret e refugjatit të përcaktuar me Ligjin për Azilin. Mirëpo, në Republikën e Kosovës, mund të përjashtohet edhe e drejta për azilin ndaj personave për të cilët ka bazë se: ata kanë kryer krime kundër paqes, krime lufte ose krime kundër njerëzimit konform Kartës së OKB-së.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të teorik, duke u bazuar në raste studimore dhe duke u shoqëruar me diskutime interaktive të lehtësuara nga trajnuesit, përmes analizës dhe shtjellimeve të tematikës, me fokus në cështjet e azilit.
Përfitues ishin gjyqtarët e Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, prokurorë nga Prokuroritë Themelore, bashkpunëtorë profesional në gjykata dhe prokurori, zyrtarë të UNHCR-it dhe shoqërisë civile (CRPK-së).
13-05-2019