Më 16-17 maj 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, realizoi trajnimin me temë “Krimet e luftës”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve që përmes diskutimeve dhe prezantimit të praktikave më të mira të hartojnë si dhe të përfaqësojnë në gjykata krimet sipas të drejtës ndërkombëtare, lidhur me konfliktet e armatosura, dhe vendet e përfshira në luftën lidhur me hetimin dhe analizimin e dëshmitarëve në cilësinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Fillimisht nga ana e trajnuesve ndërkombëtar u prezantuan krimet si pjesë e një sulmi të përhapur apo sistematik kundër një popullate civile qëllimi i së cilës është shkatërrimi në tërësi apo pjesërisht të një grupi nacional, etnik, racor apo religjioz siç theksohet edhe me Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Protokollet shtesë.
Në sesionin e parë u elaboruan format kryesore të përgjegjësisë, nxitja, kryerja, bashkëkryerja, veprime të përbashkëta kriminale (VPK), forma “sistematike, sistem i organizuar i keqtrajtimit, përgjegjësia komanduese, raporti epror – vartës, si dhe përgjegjësit e eprorit për vartësit e tyre në kryerjen e veprave kriminale gjatë kohës së konfliktit të armatosur
Në sesionin e dytë u elaborua hetimi, grumbullimi i provave kërkimi dhe ndalimi, kërkesat për ndihmë juridike – përfshirë bashkëpunimin me Mekanizmat e Tribunaleve Ndërkombëtare Penale, mbrojtja e burimeve të ndjeshme dhe dëshmitarëve të ndjeshëm, intervistimi i dëshmitarëve, intervistimi i të dyshuarve. si dhe menaxhimi i informatave përfshirë trajtimin, procesimin dhe ruajtjen e dëshmive, analiza e dëshmive si dhe barra e të provuarit, rast rrethanor, mjetet për zvogëlimin e rrezikut nga frikësimi i dëshmitarit (përfshirë risitë ligjore të propozuara në Kodin).
Metodologjia e trajnimit është bazuar në diskutime interaktive duke shtjelluar edhe raste të ndryshme nga praktika gjyqësore.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët, prokurorët si dhe bashkëpunëtorët profesional nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatave dhe Prokurorive.
17-05-2019