Më 19 shtator 2019, Akademia e Drejtësisë me përkrahjen e GIZ-it organizoj trajnimin me temë: “Shpërblimi i dëmit material dhe jo material dhe praktika gjyqësore” në kuadër të PTV-së. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me shpërblimin e dëmit material dhe jomaterial dhe trajtimi i praktikës gjyqësore në këtë lëmi.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Dëmi material dhe jo material sipas LMD-së, përgjegjësia për shpërblimin e dëmit material dhe jo material si dhe kriteret për përcaktimin e lartësisë së dëmit material dhe jo material. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan: Mënyra e të provuarit në procedurën e shpërblimit të dëmit material dhe jo material dhe praktika për caktimin e lartësisë së shpërblimit të dëmit material dhe jo material.
Në fillim të trajnimit u potencua se numri i madh i kontesteve gjyqësore për shpërblimin e dëmit, qoftë të dëmit material apo jo material, praktika gjyqësore jo e harmonizuar sa i përket vendosjes dhe kritereve për përcaktimin e lartësisë së dëmit jo material, janë tregues që imponojnë trajtimin e gjithanshëm të kësaj tematike.
Në vazhdim u potencua se mbrojtja juridiko civile e të mirave dhe ekzistimi i përgjegjësisë juridike civile, është segment i rëndësishëm në kuadër të sigurimit të një niveli më të lartë të mbrojtjes së të mirave njerëzore të mbrojtura juridikisht. Përcaktimi i saktë i përgjegjësisë së shkaktarit të dëmit dhe të realizimit të drejtës së palës së dëmtuar në shpërblimin e dëmit në marrëdhëniet juridike civile jo-kontraktuale është një prej sfidave të gjyqtarëve të fushës civile.
Edhe pse praktika gjyqësore është relativisht e zhvilluar lidhur me këtë tematikë, mirëpo numri i madh i rasteve nëpër gjykatat e Republikës së Kosovës, rritja e vazhdueshme e numrit të rasteve për shpërblim e dëmit, ka ndikuar që të ketë dallime në praktikën gjyqësore veçmas sa i përket kritereve për përcaktimin e lartësisë së dëmit material dhe jo material, por edhe mënyra e vërtetimit të gjendjes faktike në këto raste shpesh ka të meta.
Më tej u theksua se qëllimi i shpërblimit të dëmit në të drejtën tonë nëse vështrojmë dispozitat ligjore të LMD-së për shpërblimin e dëmit është detyrimi i personit përgjegjës për rivendosjen e gjendjes e cila ka qenë para se të shkaktohet dëmi. Pra, qëllim primar i shpërblimit të dëmit është rivendosja e gjendjes para shkaktimit të dëmit, nëse kjo nuk është e mundur e që zakonisht është e pamundur të bëhet rikthimi i plotë i gjendjes së mëparshme, atëherë personi përgjegjës ka për detyrë që për pjesën tjetër të dëmit të japë shpërblim në të holla. LMD përparësi i ka dhënë shpërblimit të dëmit në natyrë, e pastaj shpërblimit të dëmit në të holla edhe pse në praktikën gjyqësore më shumë zbatohet shpërblimi i dëmit në të holla.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve nga praktika e pasur gjyqësore duke zbërthyer dispozitat ligjore në fuqi që rregullojnë këtë lëmi si dhe duke sqaruar paqartësitë e përmendura më lartë.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore dhe bashkëpunëtorët profesional.
19-09-2019