Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

26-09-2019

Takimi i Këshillit Drejtues të Akademisë

Më datë 26 shtator 2019, në Akademinë e Drejtësisë, u mbajt takimi i nëntëmbëdhjetë me radhë i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, i udhëhequr nga Kryesuesi i Këshillit Drejtues z. Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit.

Qëllimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i Raportit final të rekomandimit nga Komisioni Rekrutues për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të AD-së dhe zgjedhja e drejtorit të ri si dhe diskutimi dhe vendosja për çështje të ndryshme në kuadër të fushëveprimit dhe mandatit të Akademisë.

Sipas agjendës së përcaktuar për këtë takim, fillimisht anëtarët e Këshillit Drejtues miratuan procesverbalet nga dy takimet e kaluara. Më pas Këshilli Drejtues sipas agjendës vazhdoi me procedurën për zgjedhjen e Drejtorit. Me rastin e votimit për tre kandidatët e rekomanduar nga Komisioni Rekrutues për të cilët u realizua me votim të fshehtë për secilin, rezultoi që asnjëri nuk fitoi votat e shumicës. Lidhur me këtë Këshilli Drejtues vendosi anulimin e këtij konkursi dhe shpalljen e konkursit të ri.

Në vazhdim Këshilli Drejtues diskutoi për mendimin e Këshillit Programor për listën e trajnuesve të dalë nga dy shpalljet për trajnues që ka pasur Akademia e Drejtësisë dhe miratoi njëzëri.

Për gjatë këtij takimi Këshilli Drejtues vendosi edhe për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për përbërjen e Këshillit të Redaksisë meqë një nga anëtarët e këtij organi ka dhënë dorëheqje për shkaqe shëndetësore. Më tej u aprovua edhe mendimi i Këshillit Gjyqësor për njohjen e provimit përfundimtar të dy gjyqtareve të gjeneratës së VI të cilat pjesën e mbetur të programit janë duke e vijuar në gjeneratën e VII të gjyqtarëve të sapo emëruar.

Në fund të takimit u diskutuan edhe çështje të tjera të rëndësishme në kuadër të fushëveprimit dhe mandatit të Akademisë.

Shpërndaje :