Më 08 nëntor 2019, Akademia e Drejtësisë me përkrahjen e Bashkimit Evropian-Projekti për Kodin Civil organizoj trajnimin për trajnues me temë: “Titujt juridik për fitimin e pronësisë - sfidat në vërtetimin e titullit juridik”. Ky trajnim ishte në funksion të përgatitjes së trajnuesve për trajnimet që do të organizohen në të ardhmen dhe avancimin e njohurive të tyre lidhur me risitë që do të sjell Kodi Civil i Republikës së Kosovës i cili është në fazën e miratimit të tij.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Titujt juridik për fitimin e pronësisë, llojet e titujve juridik, vërtetimi i titujve juridik, dhe baza më e fortë juridike për fitimin e pronësisë. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan: Parashkrimi si titull juridik, vështirësitë e vërtetimit të parashkrimit, konkurrenca e titujve juridik-parashkrimit dhe certifikatës/fletës poseduese të pronësisë.
Që në fillim u theksua se aktualisht në fuqi është Ligji i Pronësisë dhe te Drejtave Tjera Sendore (LPDTS) që ka hyrë ne fuqi ne fuqi me datën 20 Gusht 2009 e i cili rregullon institutet si: Pronësinë, Posedimin, Pengun në sendet e luajtshme, Hipotekën në sendet e paluajtshme, Servitutet, Barrët sendore dhe të Drejtën e ndërtimit.
Më tej në trajnim u prezantuan zhvillimet e fundit në Projekt-Kodin Civil të Republikës së Kosovës me të cilin do të bëhen zhvillime të rëndësishme në të drejtat pronësore si: Janë harmonizuar dispozitat ligjore dhe Kodi përmban 5 Libra: Libri 1- Pjesa e përgjithshme, Libri 2- Detyrimet, Libri 3- Pronësia dhe të drejtat tjera sendore, Libri 4- Familja, dhe Libri 5- Trashëgimia. Ky Kodi Civil do të ketë gjithsejtë 1632 nene dhe është në procedurë të miratimit në Qeveri.
Më tej në trajnim u veçuan risitë që sjell Kodi Civil i Republikës së Kosovës si në vijim: duke bërë përkufizimet e pronësisë, janë specifikuar dhe sqaruar kuptimi i dispozitave ligjore, personat e huaj mund të fitojnë të drejta sendore, përveç kur parashikohet ndryshe me ligj të veçantë, është sqaruar mirëbesimi dhe keqbesimi, për pronësinë në kafshë, ka rregulla të veçanta, janë përcaktuar llojet e pronësisë - publike dhe private, janë sqaruar të drejtat fqinjësore, janë rregulluar mënyrat e fitimit të pronësisë dhe titujt juridik.
Më tej duke trajtuar fitimin dhe humbjen e pronësisë dhe titujt juridik sipas Kodit Civil u theksua se ky Kod i ka specifikuar titujt juridik për fitimin e pronësisë (nenet 863-898 i KC). E drejta e pronësisë mund të fitohet në bazë të punës juridike, trashëgimisë, vendimit gjyqësor, vendimit të organit administrative dhe në bazë të ligjit (neni 863 i KC). E drejta e pronësisë sipas paragrafit 1 të këtij neni, fitohet nëse janë plotësuar të gjitha kushtet e parashikuara me këtë Kod lidhur me fitimin e pronësisë në sendet e luajtshme dhe të paluajtshme.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, u demonstruan metodat bashkëkohore të ligjërimit, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore dhe shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve studimore dhe standardeve bashkëkohore të metodologjisë së mësimdhënies si dhe dispozitave ligjore që përmban Projekt-Kodi Civil i Kosovës.
Përfitues në këtë trajnim ishin trajnuesit gjyqësor të Akademisë së Drejtësisë që do të ligjërojnë në të ardhmen për Kodin Civil të Republikës së Kosovës.
08-11-2019