Më 03 dhjetor 2019, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim dhe me përkrahjen e Zyrës së UNHCR-CRP/K organizoj trajnimin me temë: “Lëvizja dhe qëndrimi i të huajve si dhe procedurat ligjore ndaj tyre në Republikën e Kosovës” në kuadër të PTV-së. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me procedurat ligjore që zhvillohen ndaj të huajve në Republikën e Kosovës.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan temat si: Hyrja në territorin e Kosovës, qëndrimi i të huajve në Republikën e Kosovës dhe procedura ligjore e mbajtjes dhe dëbimit të të huajve nga Republika e Kosovës sipas Ligjit për të Huajt si dhe qëndrimi i paligjshëm, kthimi dhe dëbimi i të huajve. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtua e drejta ndërkombëtare e refugjatëve.
Që në fillim u theksua se lëvizja dhe qëndrimi i të huajve në Republikën e Kosovës është rregulluar me Ligjin për të Huajt, nr.04/L-219, i ndryshuar me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të Huajt nr.06/L-036. Ky ligj rregullon kushtet e hyrjes, lëvizjes, qëndrimit dhe punësimit të të huajve në territorin e Republikës së Kosovës. Dispozitat e këtij ligji janë në pajtim me të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e autoriteteve dhe të individëve sipas të drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat ndërkombëtare të njeriut, në veçanti, Konventën e vitit 1951 dhe Protokollit të vitit 1967 lidhur me Statusin e Refugjatëve, parimin e mos dëbimit (non-refoulement) dhe të drejtën për të kërkuar azil të përfshira në to.
Në këtë trajnim dominuan çështjet për statusin dhe qëndrimin e të huajve, procedura ligjore e mbajtjes dhe dëbimit të tyre nga Republika e Kosovës në bazë të dispozitave të Ligjit për të Huajt. Duke marr parasysh se ky ligj rregullon hyrjen në territorin e Kosovës dhe qëndrimin e të huajve në Republikën e Kosovës procedurat që zhvillohen lidhur me këto u trajtuan në gjerësi dhe nga këndvështrimi i praktikës gjyqësore, si dhe dispozitave për integrimin e të huajve në shoqërinë kosovare.
Këto çështje dhe dilemat që ndërlidhen me statusin dhe qëndrimin e të huajve, procedurën ligjore të mbajtjes dhe dëbimit të tyre nga Republika e Kosovës u trajtuan sipas dispozitave të Ligjit për të Huajt si dhe zbatimin e drejtë të tyre nga organet kompetente. Fokusi ishte edhe në çështjet e kategorive se ndaj kujt zbatohen dispozitat e Ligjit për të huajt dhe ndaj cilës kategori nuk janë të zbatueshme.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, analizës së rasteve studimore, u zbërthyen dispozitat dhe standardet ndërkombëtare dhe nacionale në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Departamentit për Çështje Administrative te Gjykatës Themelore te Prishtinës, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Departamentit për Çështje Administrative dhe bashkpunëtorët profesional, Zyrtarë të Departamentit të Policisë Kufitare, DSHAM-MPB, zyrtarë të UNHCR-it dhe shoqërisë civile (KRTC dhe CRPK) dhe të tjerë.
03-12-2019