Më datë 31 mars dhe 1 prill 2017, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit të Trajnimit të Vazhdueshëm, realizoi trajnimin “Program i Specializuar Trajnimi për Zhvillimin e Kapaciteteve në Luftën Kundër Korrupsionit - Sesioni I”.
Trajnimi kishte për synim avancimin e njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve në lidhje me korrupsionin, pasojat e korrupsionit, format e luftimit dhe parandalimit të korrupsionit, veprat penale korruptive dhe elementet e tyre.
Në sesionin e parë u elaborua kuptimi i korrupsionit sipas legjislacionit në fuqi, legjislacioni ndërkombëtar i aplikueshëm në këtë fushë, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, keqpërdorimi i informatës zyrtare, konflikti i interesit, përvetësimi në detyrë, mashtrimi në detyrë, marrja dhe dhënia e ryshfetit dhe ushtrimi i ndikimit.
Gjithashtu u trajtuan planet hetuese dhe hapat e parë të hetimit, zhvillimi i një plani hetues, trajtimi dhe analizimi i informatave publike të disponueshme dhe qasja në dokumente dhe informata jo publike, si dhe marrja dhe kërkimi i evidencave elektronike.
Në sesionin e dytë u elaborua mënyra e përgatitjes së materialeve lidhur me masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit për zbulimin e korrupsionit, llojet, kushtet, personat kompetent për të lëshuar këto masa, përmbajtja dhe kohëzgjatja e urdhrave për lëshim të masave, ndihma e organeve tjera për zbatimin e këtyre masave, mënyra e dorëzimit të shkresave si dhe raportet tek palët lidhur me këto masa në procedurë.
Trajnimi u zhvillua në formë interaktive dhe me një rast ku u diskutua rreth sfidave në praktikë dhe vështirësive që gjyqtarët dhe prokurorët hasin gjatë punës së tyre.
Përfitues të këtij trajnim ishin gjyqtarë, prokurorë si dhe bashkëpunëtorë profesional të niveleve të ndryshme.
01-04-2017