Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

01-06-2017

Takimi i radhës i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë

Prishtinë, 01 qershor 2017 – Është mbajtur takimi i tretë i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, i udhëhequr nga Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksandër Lumezi.

Gjatë këtij takimi, Këshilli Drejtues fillimisht mori vendim për fillimin e procedurës për emërimin e Drejtorit Ekzekutiv të Akademisë së Drejtësisë, konform Rregullores për Emërimin dhe Shkarkimin e Drejtorit Ekzekutiv të Akademisë së Drejtësisë dhe në bazë të parimeve të shërbimit civil.

Në vazhdim, me qëllim të zbatimit të këtij procesi, Këshilli Drejtues themeloi Komisionin për Procedurën e Përzgjedhjes së Drejtorit Ekzekutiv të Akademisë së Drejtësisë.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe miratoi me disa rekomandime, rregulloret e hartuara dhe propozuara nga Komisioni për Çështje Normative i Akademisë së Drejtësisë. Rregullorja për Punën e Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë dhe Rregullorja për Programin e Trajnimit Fillestar, të cilat u miratuan, u vlerësuan si rregullore me një rëndësi shumë të madhe për punën dhe funksionimin e Akademisë së Drejtësisë.

Më pas Këshilli Drejtues, shqyrtoi dhe miratoi projekt buxhetin e Akademisë së Drejtësisë për vitin 2018 si dhe planifikimet për vitin 2019 dhe 2020. Ky projekt buxhet u vlerësua si i domosdoshëm për zbatimin e mandatit ligjor dhe funksionimin e Akademisë së Drejtësisë, veçanërisht për zbatimin e procesit të transformimit nga Instituti Gjyqësor i Kosovës në Akademinë e Drejtësisë.

Gjatë shqyrtimit të projekt buxhetit, diskutimet u përqendruan në nevojën që të mbështetet kërkesa e Akademisë për ndërtimin e ndërtesës së Akademisë së Drejtësisë.

Shpërndaje :