Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

29-06-2017

Aktivitetet e realizuara në PTF- qershor 2017

Akademia e Drejtësisë, në drejtim të përmbushjes së programit trajnues, ka vazhduar me realizimin e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar, të cilin janë duke e vijuar prokurorët e shtetit të sapoemëruar.

Nën-moduli “Provat në procedurën penale” është përfunduar gjatë muajit qershor, duke realizuar në këtë formë edhe katër (4) sesione trajnuese, në kuadër të të cilave janë trajtuar: sigurimi i provave me anë të masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, provat në fazën e hetimeve, bastisjet-kontrolli, sekuestrimi i përkohshëm dhe ekspertizat, marrja e provave gjatë hetimeve, deklarimi i të pandehurit dhe dëshmia e dëshmitarit, si dhe provat e papranueshme.

Në kuadër të trajnimit teorik, është realizuar nën-moduli tjetër “I pandehuri në procedurën penale”, ku janeë mbajtur pesë (5) sesione trajnuese dhe janë trajtuar këto çështje: i pandehuri si subjekt i procedurës penale,  deklarimi i të pandehurit si provë, të drejtat dhe detyrimet e tij gjatë procedurës penale, pozita e të pandehurit pas ngritjes dhe gjatë procedurës së konfirmimit të aktakuzës, i pandehuri gjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor dhe e drejta për ushtrimin e mjeteve juridike, dhe i pandehuri gjatë procedurës së shkurtër dhe procedura për ndihmë juridike ndërkombëtare.

Po ashtu, janë realizuar dy (2) sesione trajnuese nga nën-moduli “Dëshmitarët dhe të dëmtuarit në procedurën penale” ku janë trajtuar: kuptimi dhe llojet e dëshmitarëve dhe marrja në pyetje dhe e deklaratave të dëshmitarëve para ngritjes së aktakuzës. Gjatë muajit qershor gjithashtu janë realizuar një (1) sesion trajnimi nga nën-moduli “E drejta e BE-së” dhe një sesion për “Ngritja e shkathtësive sociale të prokurorëve”.

Nën-moduli “Zhvillimi i shkathtësive gjyqësore” i cili kishte filluar në muajin maj, është përmbyllur në këtë periudhë, ku janë realizuar pesë (5) sesione trajnimi. Pas përfundimit të këtij nën-moduli është realizuar “Simulim gjykimi”, ku prokurorët e sapoemëruar, në një sallë të vërtetë gjykimi, të ndarë në dy grupe, realizuan në mënyrë të suksesshme këtë aktivitet.

Në kuadër të trajnimit praktikë, prokurorët e sapoemëruar kanë vazhduar praktikën në prokuroritë përkatëse konform orarit të përcaktuar me program, nën mbikëqyrjen e mentorëve të tyre.

Ndërsa sa i përket trajnimeve në institucionet jo gjyqësore, prokurorët e sapoemëruar kishin rastin të shohin nga afër punën e këtyre institucioneve: Shërbimit Korrektues të Kosovës (Qendrës Korrektuese në Lipjan) dhe Policisë së Kosovës.

 

Shpërndaje :