Prej datës 08-09 nëntor 2017, me mbështetjen e UNHCR-së dhe CRPK-së, është realizuar vizita studimore për marrje përvojash në Akademinë Gjyqësore të Kroacisë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme - Sektori për punët administrative dhe inspektuese në tematikën e „Njohjes së thelluar me procedurën e lejimit të mbrojtjes ndërkombëtare (lëmia e azilit) - legjislacionit si dhe praktikës gjyqësore dhe vendimmarrjes në gjykatat e Republikës së Kroacisë”.
Pjesëmarrës në këtë vizitë nga Republika e Kosovës kanë qenë: z. Hasan Shala, kryetar i Gjykatës së Apelit, z. Ragip Namani, gjyqtar i Gjykatës së Apeli, znj. Afërdita Bytyçi, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, z. Besim Morina, Koordinator i Programit në Akademinë së Drejtësisë, z. Hajriz Hoti, gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, z. Islam Sllamniku, trajnues i përhershëm në Akademi, znj. Melihate Rama, Udhëheqëse e Programit Trajnues të Vazhdueshëm në Akademi, z. Bujar Prebreza zyrtar i Zyrës së UNHCR-së, dhe z. Shadan Horosani, zyrtar i CRPK-së.
Në ditën e parë është vizituar Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë – Shërbimi për të huaj dhe azili, ku zyrtarët znj. Anita Mandic, udhëheqëse e Shërbimit për të huaj dhe azil dhe znj. Sandrina Srsan, udhëheqëse e procedurës për të huaj dhe azil, nga ky institucion kanë ofruar një paraqitje mbi legjislacionin në fuqi të Republikës së Kroacisë dhe implementimin e direktivave të BE-së me të cilat rregullohen çështjet e zhvillimit të procedurës së mbrojtjes ndërkombëtarë dhe asaj të përkohshme në Republikën e Kroacisë. Po ashtu ato janë përgjigjur në çdo pyetje dhe interesim të zyrtarëve kosovar në problematikat e azilit. Pjesëmarrësit kanë vizituar dhe janë njohur më për së afërmi me strukturën dhe funksionet e Qendrës për Pranim të Refugjatëve. Në këtë institucion janë njoftuar me kushtet, procedurat dhe ndërveprimin e institucioneve shtetërore që merren me lëminë e mbrojtjes së refugjatëve.
Pjesë e vizitës ishte edhe takimi në Akademinë e Drejtësisë, ku delegacioni nga Kosova është pritur nga znj. Andrea Pasavec Franiç, Drejtoreshë e Akademisë së Drejtësisë dhe znj. Nella Popoviç, udhëheqëse e Sektorit për bashkëpunim ndërkombëtar. Në këtë institucion janë njohur me mënyrën e punës së Akademisë Gjyqësore të Kroacisë, funksionet dhe strukturën e saj. Veçmas zyrtaret kroate kanë dhënë shpjegime mbi programin trajnues që zhvillon kjo Akademi në tematikën e azilit dhe mbrojtjes ndërkombëtare në Republikën e Kroacisë.
Me ftesë të drejtoreshës së Akademisë Gjyqësore të Kroacisë pjesëmarrësit patën rastin të marrin pjesë edhe në tryezën e rrumbullakët me temë: “Republika e Kroacisë – 20 vite pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut“, organizuar nga Akademia Gjyqësore dhe Zyra e Përfaqësuesit të Republikës së Kroacisë pranë GJEDNJ, ku patën rastin të njihen hollësisht me të arriturat, pengesat dhe sfidat e Republikës së Kroacisë në zbatimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ), standardeve dhe praktikës gjyqësore të GJEDNJ në Strasburg.
09-11-2017