Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

28-09-2017

Trajnim i mentorëve në Programin për Trajnim Fillestar

Më 28 shtator 2017, Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me projektin e Binjakëzimit “Mbështetje e mëtejme reformës për arsimim ligjor”, ka realizuar trajnim për mentorët, e fushës penale, të cilët janë përcaktuar si mentorë për gjyqtarët e sapoemëruar.

Trajnimi kishte për qëllim që mentorët të familjarizohen me metodat dhe teknikat e mentorimit, rolin dhe detyrat e tyre si mentorë, si dhe format adekuate të qasjes së tyre në raport me gjyqtarët e sapoemëruar.

Fillimisht në kuadër të këtij trajnimi, u prezantua struktura e Programit të Trajnimit Fillestar, me theks në pjesën praktike të tij, rregullat dhe standardet që përcakton Doracaku për Mentor,  mënyra e organizimit dhe zbatimit të këtij procesi, si dhe roli dhe detyrat e mentorëve në raport me gjyqtarët e sapoemëruar dhe Akademinë e Drejtësisë.

Më tej, më në detaje, u elaborua komponenta e mentorimit si proces, detyrat dhe përgjegjësitë e mentorëve në asistimin e gjyqtarëve të sapoemëruar, mënyrat dhe praktikat më të mira se si të bartin njohuritë profesionale dhe përvojat e tyre praktike tek gjyqtarët nën mentorimin e tyre.  Po ashtu, në kuadër të këtij trajnimi u shtjelluan parimet themelore për menaxhimin e rrjedhës së rasteve, dhe u prezantuan praktikat më të mira të menaxhimit të lëndëve me qëllim që ato të barten tek gjyqtarët e sapoemëruar.

Mentorët janë njoftuar me të gjitha informatat dhe janë pajisur me dokumentet e nevojshme që hyn në kuadër të PTF-së, siç janë: Rregullorja për Programin e Trajnimit Fillestar, Programi i Trajnimit  Fillestar, Doracaku për mentor, etj.

 

Shpërndaje :