Më 29 shtator 2017, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, ka organizuar trajnimin me temë “Kundërvajtjet nga lëmi i rendit dhe qetësisë publike, (neni 4, 5 dhe 16 i Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike)”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve nga lëmia e rendit dhe qetësisë publike, veçanërisht me atë se si të dallojnë vendin publik nga ai jo publik duke e identifikuar veprimin inkriminues, si të përkufizojnë veprimin e sjelljes arrogante të sulmit verbal dhe mospërfilljen e urdhrave të ligjshëm, në mënyrë që t’i aplikojnë drejtë dispozitat sipas Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike.
Trajnimi u fokusua në elaborimin e hollësishëm të çështjeve që kanë të bëjnë me dilemat që paraqiten në praktikë lidhur me: kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike, sjellja arrogante dhe sulmi verbal, mosveprimi sipas urdhrit të personit të autorizuar zyrtar sipas LRQP-së, mosveprimit sipas urdhrit të personit të autorizuar zyrtar në lëminë e komunikacionit rrugor, si dhe ndëshkimet për kryerësit e kundërvajtjeve - prishje e rendit dhe qetësisë publike.
Pjesëmarrësve në këtë trajnim përmes diskutimeve interaktive dhe shembujve praktik, iu ofruan alternativa të ndryshme për paqartësitë dhe vështirësitë e hasura gjatë punës së tyre në praktikë.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor - divizioni për kundërvajtje, nga regjione të ndryshme të Kosovës.
29-09-2017