Më 22-23 shkurt 2018, Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me projektin “Përforcimi i ekspertizës gjyqësore mbi lirinë e shprehjes dhe medias në Evropën Juglindore - JUFREX, organizoj trajnimin me temë “Standardet vendore dhe ndërkombëtare në rregullimin e shpifjes & gjyq imitues”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me standardet vendore dhe ndërkombëtare në rregullimin e shpifjes.
Në ditën e parë të trajnimit u trajtua korniza vendore ligjore në Republikën e Kosovës duke u fokusuar në çështjet si: çka është efekti frenues dhe dekriminalizimi i shpifjes? A është gazetari person zyrtar? Kush është përgjegjës për shpifje? Barra e provës, Përgjegjësia për opinione dhe imuniteti parlamentar – deklaratat e dhëna në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa në trajtimin e kornizës vendore institucionale dominuan temat lidhur me atë se: Kush i rregullon mediat online dhe të shtypit? Kush i rregullon mediat audio-vizive? Mundësitë e ankesave kundër raportimeve mediale shpifëse dhe roli i gjykatave si dhe raste të shpifjes nga praktika gjyqësore.
Në fokus të trajnimit ishte edhe analizimi i dispozitave të nenit 10 të KEDNJ, konkretisht u elaborua natyra, rëndësia, efekti dhe fushëveprimi i të drejtës në lirinë e shprehjes, nga këndvështrimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shpifja, figurat publike në media, përgjegjësitë dhe sanksionet në gazetari, ndërhyrjet në lirinë e internetit dhe mbrojtja e aktivitetit të gazetarisë dhe medias në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe në praktikat e GJEDNJ.
Ndërsa në ditën e dytë u vazhdua me trajtimin e standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për mbrojtjen nga shpifja, rastet kur janë palë figurat publike-individët privat, faktet-opinionet, barra e provës, lartësia e kompensimit të dëmit, imuniteti parlamentar, raportimi i fjalëve të të tjerëve - intervistat-live, komentet shpifëse/fotografitë në mediat sociale, etj.
Gjithashtu në ditën e dytë pjesëmarrësit realizuan gjyq-imitues dhe përmes roleve të ndryshme arritën të zgjidhin rastin që ishte dedikuar shpifjes, e që u shtrua në formë detyre, ku përfshiheshin elementet e përgjegjësisë së shtetit dhe sanksionet në gazetari dhe mbrojtja e aktivitetit në gazetari dhe media. Epilogu i gjyqit imitues ishte vendimmarrja lidhur me pretendimet se në vendimin e atakuar të gjykatës nacionale në GJEDNJ ka pas shkelje të nenit 10 të KEDNJ nga gjykata nacionale e shtetit palë të kësaj Konvente.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Gjykatës së Apelit dhe gjykatave themelore, prokurorët e prokurorive themelore, dhe bashkëpunëtorët profesional të gjykatave.
23-02-2018