Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

22-03-2018

Zbatimi praktik i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Më 22 mars 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, realizoi trajnimin me temë: “Zbatimi praktik i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve rreth të drejtave, përgjegjësive, parimet dhe masat për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe për zbatimin e drejtë të dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan baza ligjore e përpunimit të ligjshëm të të dhënave personale dhe mbrojtja e tyre institucionale. Ndërsa në pjesën e dytë u vazhdua me trajtimin e të drejtave dhe përgjegjësive të kontrolluesve të të dhënave.

Në kontekst të tematikës së përmendur u zbërthye mandati ligjor dhe përgjegjësitë e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përpunimi i të dhënave personale, parimet e përpunimit si dhe masat dhe procedura në rastin e shkeljes së këtyre të dhënave. U prezantuan edhe përvojat dhe praktikat e mira të shteteve në rajon si dhe format e aplikimit në mënyrë efikase të instrumenteve ndërkombëtare që rregullojnë këtë sferë. Në  fokus  të  trajnimit  ishin edhe çështjet si zbërthehet dhe bëhet përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale si dhe si mbrohen këto të dhëna.

Në trajnim u veçua përfundimi se mbrojtja e të dhënave personale në Republikën e Kosovës, është një e drejtë themelore që garantohet me Kushtetutë, e cila në nenin 36 specifikon se privatësia dhe jeta familjare, paprekshmëria e vendbanimit, fshehtësia e korrespodencës, komunikimi me telefon dhe mjetet tjera, dhe mbrojtja e të dhënave personale janë të garantuara për secilin individ. Gjithashtu, kjo Kushtetutë garanton zbatimin e Konventave ndërkombëtare dhe evropiane, në lidhje me mbrojtjen e të dhënave, siç janë: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe protokollet shtesë.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Departamentit për Çështje Administrative te Gjykatës Themelore të Prishtinës, të Gjykatës së Apelit si dhe zyrtarë të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Shpërndaje :