Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

27-03-2018

Trajnim i mentorëve në Programin për Trajnim Fillestar

Më 27 mars 2018, Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me projektin e Binjakëzimit “Mbështetje e mëtejme reformës për arsimim ligjor”, dhe Programin për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (JSSP) ka realizuar trajnim për gjyqtarët e fushës civile, të cilët janë zgjedhur mentorë për gjyqtarët e sapoemëruar.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte që mentorët të ngritin njohuritë e tyre për programin e mentorimit, metodat dhe teknikat e mentorimit, rolin dhe detyrat e tyre si mentorë, si dhe format adekuate të qasjes së tyre në raport me gjyqtarët e sapoemëruar.

Në kuadër të këtij trajnimi së pari, u prezantua struktura e Programit të Trajnimit Fillestar, me theks në pjesën praktike të tij, rregullat dhe standardet që përcakton Doracaku për Mentor, mënyra e organizimit dhe zbatimit të këtij procesi, si dhe roli dhe detyrat e mentorëve në raport me gjyqtarët e sapoemëruar dhe Akademinë e Drejtësisë.

Në fokus të këtij trajnimi, më në detaje u elaborua komponenta e mentorimit si proces, detyrat dhe përgjegjësitë e mentorëve në asistimin e gjyqtarëve të sapoemëruar, mbi mënyrat dhe praktikat më të mira se si të bartin njohuritë profesionale dhe përvojat e tyre praktike tek gjyqtarët nën mentorimin e tyre.  Gjithashtu, në kuadër të këtij trajnimi u shtjelluan parimet themelore për menaxhimin e rrjedhës së rasteve, dhe u prezantuan praktikat më të mira të menaxhimit të lëndëve me qëllim që ato të barten tek gjyqtarët e sapoemëruar.

Mentorët janë njoftuar me të gjitha informatat dhe janë pajisur me dokumentet e nevojshme që janë pjesë e Programit për Trajnim Fillestar, siç janë: Rregullorja për Programin e Trajnimit Fillestar, Programi i Trajnimit  Fillestar, Doracaku për Mentor, etj.

Shpërndaje :