Më 24 prill 2018, Akademia e Drejtësisë, me mbështetje të GIZ-it, në kuadër të Programit të Trajnimit të Vazhdueshëm, realizoj trajnimin me temë: “Fillimi dhe zhvillimi i procedurës së konfliktit administrativ”.
Në këtë trajnim u trajtuan dispozitat ligjore për procedurën e konfliktit administrativ dhe procedura ligjore në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore dhe mjetet juridike kundër vendimeve të saj, si dhe përmbarimi i vendimeve te Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Në trajnim dominuan çështjet që ndërlidhen me mbrojtjen gjyqësore dhe adresimin e ligjshmërisë së vendimeve të organeve të administratës publike në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe të Gjykatës së Apelit. Gjithanshëm u shtjelluan dilemat e ndryshme që po paraqiten në gjykata si ato profesionale, procedurale dhe materiale gjatë vendosjes së këtyre lëndëve. Në vijim u potencua se qëllimi i dispozitave të LKA-së është sigurimi i mbrojtjes gjyqësore të të drejtave dhe interesave juridike të personave fizik, juridik dhe palëve të tjera të cilat të drejta dhe interesa janë cenuar me vendime individuale ose me veprime të organeve të administratës publike.
Gjatë trajnimi fokusi ishte edhe në bazën ligjore të funksionimit të organeve administrative dhe procedurës së përgjithshme administrative në Republikën e Kosovës, kjo për synim të zbërthimit të procedurës administrative pranë organeve publike që shërben si bazë për fillimin e procedurës së konfliktit administrativ në gjykata, në këtë kontekst u paraqit një vështrim i përgjithshëm i Ligjit për Procedurën Administrative, gjegjësisht ndryshimeve që ka përcaktuar ky ligj dhe si do të reflektohen këto ndryshime në punën e gjykatave gjatë zhvillimit të procedurës në fjalë.
Në këtë trajnim u ofruan zgjidhje praktike të bazuara në ligj të cilat do të lehtësojnë punën e gjyqtarëve, dhe në instancë të fundit do të ndikojnë në reduktimin e përgjithshëm të numrit të lëndëve në gjykata.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës së Apelit, dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe gjyqtar nga gjykata themelore, të departamenti i përgjithshëm.
24-04-2018