Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

11-06-2018

Procedura kontestimore

Më 11 qershor 2018, Akademia e Drejtësisë, bazuar në kërkesën Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, në mbështetje të UNDP-së, ka vazhduar trajnimin e pestë me radhë për zyrtarët e këtij institucioni me temë: “Procedura kontestimore”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore që i referohen shqyrtimit paraprak të padisë dhe seancës përgatitore si dhe Ligjit të Procedurës Kontestimore në përgjithësi, nga ana e ofruesve të ndihmës juridike falas.

Gjatë këtij trajnimi u trajtuan parimet e procedurës kontestimore, kompetenca e gjykatës dhe llojet e saj, parashtresat dhe dërgimi i tyre, padia dhe llojet e saj, seancat dhe afatet, mjetet provuese dhe marrja e provave, llojet e vendimeve gjyqësore, sigurimi i kërkesëpadisë, mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme, si dhe procedurat e veçanta.

Gjatë trajnimit pati diskutime të shumta me theks të veçantë te kontestet e punës, veçanërisht për realizimin e pagës jubilare dhe përcjellëse, për të cilat u dhanë sqarime nga ana e trajnuesve për mënyrën se si duhet trajtuar këto raste, si dhe afatet që duhet respektuar me qëllim të përfundimit të suksesshëm të rasteve. Gjithashtu pati edhe diskutime edhe për vërtetimin e të drejtës së pronësisë në bazë të trashëgimisë duke qenë se ofruesit e ndihmë juridike falas kishin raste të shumta gjatë punës së tyre.

Përfitues në këtë trajnim ishin zyrtarët e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nga Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Gjakova, Mitrovica, si dhe Podujeva. Përveç tyre ishin edhe nga OJQ si CRPK, CLARD si dhe Femrat Aktive të Gjakovës si dhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Shpërndaje :