Më 19 qershor 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, ka realizuar trajnimin me temë “Masat e fshehta”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve rreth kornizës ligjore, e cila rregullon mënyrën e lëshimit të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, dhe procedurën e zbatimit dhe aplikimit të këtyre masave në drejtim të sqarimit të dilemave që ekzistojnë në praktikën gjyqësore.
Gjatë këtij trajnimi u theksua rëndësia e këtyre masave dhe zbatimi i tyre i drejtë në praktikë, llojet e të gjitha masave dhe fazat e hetimit gjatë të cilave ato mund të autorizohen. Më tej u trajtuan kushtet ligjore, personat e autorizuar për lëshimin e masave të fshehta, hartimi i urdhrave për zbatim të masave dhe përmbajtja e kërkesës për marrjen e këtyre urdhrave për autorizimin e masave si dhe kohëzgjatja e këtyre masave. Në këtë kontekst u shtjelluan kompetencat e policisë, prokurorit të shtetit dhe gjyqtarit të procedurës paraprake.
Metodologjia e trajnimit ishte një kombinim i teorisë dhe rasteve praktike të parashtruara nga trajnuesit me qëllim të kontributit në unifikimin e praktikës gjyqësore lidhur me këtë fushë.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët dhe prokurorët të nivelit themelor, nga regjione të ndryshme të Kosovë.
19-06-2018