Në kuadër të trajnimit fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar, gjatë muajit korrik janë realizuar gjithsejtë 8 (tetë) sesione trajnuese nga modulet: “E drejta civile, ekonomike dhe administrative”, “ Shkathtësitë personale dhe ndër personale” dhe “Rendi juridik kombëtar dhe ndërkombëtar”.
Nga nën moduli “Arsyetimi i vendimeve gjyqësore” janë realizuar katër (4) sesione trajnuese në të cilat janë trajtuar: shkrimi ligjor dhe metodologjia e përdorimit të formulës IRAC, arsyetimi i vendimeve gjyqësore në lëmin penale dhe civile, dhe parimet e të shkruarit mirë. Objektivat e këtij nën moduli qëndrojnë tek zbatimi në mënyrë efikase të shkruarit ligjor sipas metodës IRAC, hartimi i vendimeve sipas metodës IRAC, zbatimi i parimeve dhe hapave nëpër të cilat kalon procesi i të shkruarit mirë.
Në kuadër të nën modulit “E drejta pronësisë dhe të drejtat tjera sendore” janë realizuar tri (3) sesione trajnuese ku gjyqtarët e sapo emëruar kanë zhvilluar kompetencën profesionale mbi këto çështje: të drejtat sendore në sendet e huaja, vërtetimi, konstituimi dhe ndërprerja e servituteve sendore, mbrojtja e servituteve sendore, humbja e të drejtës së pronësisë dhe e drejta e ndërtimit (superficies). Ndërsa nga nën moduli “Organizmi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial” është realizuar një (1) sesion trajnimi, ku është përqendruar tek struktura dhe organizimi i gjyqësorit, procedurat gjyqësore në përputhje me kompetencat e gjykatave si dhe dallimi i kompetencave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga kompetencat e gjykatave dhe organeve tjera që kryejnë funksione nga fusha e drejtësisë.
Ndërsa komponenta e trajnimit praktik, për këtë periudhë është realizuar përmes vijimit të praktikës nga ana e gjyqtarëve të sapoemëruar në gjykata përkatëse, konform orarit të përcaktuar me program. Trajnimin fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar janë duke e ndjekur 54 gjyqtarë të sapo emëruar ku pesë prej tyre janë nga komuniteti serb.
31-07-2018