Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

21-01-2019

Shqyrtimi paraprak i padisë

Më 21 janar 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së organizoj trajnimin me temë: “Sigurimi i kërkesëpadisë”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me shqyrtimi paraprak të padisë si fazë e veçantë e procedurës kontestimore.

Në pjesën e parë u trajtuan çështjet që lidhen me prezumimet procedurale, klasifikimi i prezumimeve procedurale, prezumimet procedurale lidhur me gjykatën, prezumimet procedurale lidhur me palët, prezumimet procedurale lidhur me objektin e kontestit dhe prezumimet procedurale lidhur me padinë. Në pjesën e dytë  u bë identifikimi i pengesave procedurale në këtë fazë të procedurës, u trajtuan vendimet e gjykatës në evitimin e pengesave procedurale, hedhja poshtë e padisë si e palejuar, ekzistimi i kompetencës territoriale dhe i asaj lëndore si prezumim procedural dhe shtyrja e vendosjes për disa çështje si dhe përgjigjja në padi.

Më tej u konkludua se faza  e shqyrtimit paraprak të padisë është një filtër që i ndihmon gjykatës në eliminimin e të gjitha pengesave në mënyrë që të vazhdohet me faza të tjera të procedurës. Kjo mundëson zbatimin e drejtë të dispozitave të Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK) sa i përket verifikimit të plotësimit të prezumimeve procedurale dhe atë: prezumimeve lidhur me gjykatën, palët, objektin e kontestit si dhe prezumimet lidhur me rregullsinë e padisë.

Në vazhdim u potencua se gjykatat duhet të jenë të kujdesshme kur vendosin që padinë ta kthejnë në plotësim duke kërkuar nga paditësi paraqitjen e fakteve mbi të cilat paditësi e bazon kërkesën e tij. Këshillohet që gjykatat ta kthejnë padinë në plotësim për këtë element vetëm në rastet kur në padi nuk është prezantuar asnjë fakt mbi të cilin paditësi e bazon kërkesën e tij. Këshillohet të veprohet në këtë formë sepse nëse paditësi nuk prezanton fakte sipas detyrimit të përcaktuar nga gjykata për plotësimin e padisë, atëherë gjykata do ta konsideroj të tërhequr padinë.

Gjithashtu u konkludua se nëse paditësi nuk e ka përmendur fare vlerën e objektit të kontestit në padi, apo në qoftë se ai vlerën e tillë e ka përcaktuar tepër të lartë apo shumë të vogël, atëherë gjykata sipas detyrës zyrtare apo sipas prapësimit të palës së paditur, me së voni në seancën përgatitore, e në qoftë së kjo nuk është mbajtur, atëherë në seancën për shqyrtim kryesor, por para së të filloj shqyrtimi shpejt dhe në mënyrë të përshtatshme do ta caktoj vlerën e objektit të kontestit.

Më tej u konkludua se në të gjitha rastet kur pala e paditur nuk paraqet fare përgjigje në padi brenda afatit të paraparë ligjor, për kundër faktit se aktvendimin me të gjitha provat materiale gjykata ia ka dërguar me kohë, atëherë nëse plotësohen kushtet ligjore të parapara me nenin 150 të LPK-së, gjykata do të nxjerr aktgjykim për shkak të mosbindjes, me të cilin do të aprovon në tërësi kërkesëpadinë e paditësit.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore dhe duke u shoqëruar me diskutime interaktive, përmes materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve praktike, u zbërthyen dhe u sqaruan dispozitat e LPK-së që lidhen me këtë tematikë.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore të divizioneve civile nga departamentet e përgjithshme dhe bashkëpunëtorët profesional.

Shpërndaje :