Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

29-01-2019

E Drejta në Pronë: Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Më 29 janar 2019, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të PTV-së organizoj trajnimin me temë: “E Drejta në Pronë: Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me të drejtën në pronë nga këndvështrimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Në pjesën e parë u zbërthyen tre rregullat e nenit 1. të Protokollit 1 Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KEDNJ) – me theks në mënyrat e vlerësimit të shkeljeve nga GJEDNJ, pranueshmëria e Kërkesës, konceptet kryesore, pasuria dhe pritja legjitime. Në pjesën e dytë u trajtuan ndërhyrjet në gëzimin paqësor të pasurisë, proporcionaliteti dhe arritja e baraspeshës së drejtë dhe rastet problematike nga shtetet e Ballkanit perëndimor me fokus në shpronësim dhe rikthim të pasurisë.

Që në fillim u theksua se e drejta në pronë është e drejtë e garantuar me Neni 1. të Protokollit 1 të KEDNJ. Ndonëse teksti themelor i Konventës është miratuar në vitin 1950 nga Këshilli i Evropës, e drejta në pronë nuk ishte e përfshirë në të deri në vitin 1952, kur u miratua Protokolli i parë i kësaj Konvente. Kjo vonesë mund të shpjegohet me hezitimet që disa shtete, veçanërisht Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, i kishin në lidhje me garantimin e kësaj të drejte për shkak të frikës se kjo mund të ndërhynte me planet e tyre për nacionalizim dhe prandaj teksti siç është sot lejon hapësirë të konsiderueshme për ndërhyrjet e shtetit në gëzimin paqësor të pasurisë.

Në vazhdim u konkludua se thelbi i ndërhyrjes në gëzimin paqësor të pasurisë është që të ketë pasur shuarje a kufizim të të drejtave të pronarëve. Për tu përmbushur ky kusht, GJEDNJ nuk i merr parasysh vetëm situatat kur ka pasur shpronësim formal apo transfer të pronës, por edhe situatat kur ky shpronësim a kufizim mund të ketë ndodhur de facto.

Gjithashtu u konkludua se koncepti i “pasurisë” sipas nenit 1 të Protokollit 1 ka kuptim autonom, andaj si term duhet interpretuar pavarësisht nga cilësimi formal në të drejtën e brendshme të shteteve anëtare. Pavarësisht kësaj termi “pasuri” interpretohet gjerësisht nga GJEDNJ. Në kuadër të këtij termi, sot hyjnë jo vetëm prona e luajtshme dhe e paluajtshme, por edhe aksionet, pronësia intelektuale, vendimet finale të dhomave të arbitrazhit dhe gjykatave, e drejta e pensionit, e drejta në qira, dhe madje edhe të drejtat që rrjedhin nga zhvillimet e një biznesi.

Më tej u konkludua se pjesa e dytë e këtij neni kërkon që çfarëdo ndërhyrje apo privim nga kjo, gëzimi paqësor i pasurisë të jetë bërë në përputhje me ligjin. Parimi i ligjshmërisë në kuadër të këtij neni kërkon që ndërhyrjet te dispozitat e aplikueshme të ligjit vendor të jenë të qasshme, të qarta, dhe të parashikueshme.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore e GJEDNJ dhe duke u shoqëruar me diskutime interaktive, përmes materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve praktike, u zbërthyen dhe u sqaruan dispozitat e nenit 1. të protokollit 1. të KEDNJ.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore të divizioneve civile nga departamentet e përgjithshme dhe Gjykatës së Apelit.

Shpërndaje :