Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

27-02-2019

E Drejta e pronësisë, mënyrat e fitimit të pronësisë dhe të drejtat tjera sendore sipas legjislacionit të aplikueshëm në Republikën e Kosovës

Më 21 dhe 27 shkurt 2019 Akademia e Drejtësisë me përkrahjen  e USAID-it - ”Programi i të Drejtave Pronësore – Property Rihgts Programe”  organizoj dy trajnime, një për regjionin e Gjilanit dhe Ferizajit dhe tjetrën për regjionin e Mitrovicës me temë: “E Drejta e pronësisë, mënyrat e fitimit të pronësisë dhe të drejtat tjera sendore sipas legjislacionit të aplikueshëm në Republikën e  Kosovës”.

Me rastin e këtyre trajnimeve u trajtua Ligji për marrëdhëniet themelore pronësoro-juridike, fitimi dhe mënyrat e fitimit të pronësisë. Në vazhdim janë trajtuar edhe mbrojtja dhe pushimi i të drejtës së pronësisë, posedimi dhe llojet e tij, servitutet – fitimi, llojet, mbrojtja dhe pushimi i tyre.

Gjithashtu u ofruan njohuri themelore mbi praktikën gjyqësore të gjykatave kompetente lidhur me vendosjen e kontesteve pronësoro juridike sipas LMTHPJ dhe LPDTS, duke u thelluar në konceptet kryesore të dala nga kjo praktikë.

Në vazhdim u potencua se LPDTS kujdes të veçant i kushton rregullimit të së drejtës dhe të mënyrave të fitimit të pronësisë duke potencuar dy lloje të fitimit të pronësisë: fitimin origjinal dhe derivativ të pronësisë. Derisa fitimi originer paraqet fitimin të cilin fituesi këtë të drejtë nuk e nxjerrë nga e drejta e mëparshme, por e fiton në mënyrë burimore, në bazë të fakteve juridike (sipas vetë ligjit, dhe në bazë të vendimit të organit shtetëror), ndërkaq, mënyrën derivative e karakterizon fakti se fituesi të drejtën e vet e nxjerrë nga e drejta e paraardhësit të tij (në bazë të punës juridike dhe me trashëgim).

Gjatë këtyre trajnimeve u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore dhe duke u shoqëruar me diskutime interaktive të lehtësuara nga ekspertët, përmes materialit të ofruar, analizës dhe shtjellimeve të tematikës, me fokus në zbatimin e drejtë dispozitave ligjore në praktikë nga gjykatat kompetente si dhe përmes  shpjegimeve të dispozitave ligjore mbi mënyrat e fitimit dhe mbrojtjes së pronësisë, të posedimit, mbajtjes, përkatësisht parashkrimit, të servitutit sipas LPDTS-së.

Përfitues të këtyre trajnimeve ishin gjyqtarët e gjykatave themelore të regjionit të Gjilanit, Ferizajit dhe të Mitrovicës.

Shpërndaje :