Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

22-03-2019

Vendimmarrja dhe qasja në drejtësinë mjedisore - standardet ndërkombëtare dhe legjislacioni në fuqi

Më 22 mars 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme organizoj trajnimin me temë: “Vendimmarrja dhe qasja në drejtësinë mjedisore - standardet ndërkombëtare dhe legjislacioni në fuqi”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me drejtësinë mjedisore.

Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtuan nocionet themelore që përmban Konventa e Aarhusit dhe legjislacioni nacional në fuqi, mënyrat e qasjes në informacione mjedisore dhe roli i pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe të drejtat për qasje në informacionet mjedisore. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan roli dhe rëndësia e dispozitave mbi të drejtën për t’ju drejtuar gjykatës dhe përgjegjësia penale në fushën e mjedisit.

Trajnimi u përqendrua në trajtimin e  problemeve dhe në zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi në këtë lëmi në Republikën e Kosovës. Pastaj u shpjegua si mbrohen të drejtat e individëve për qasje në informacione mjedisore dhe pjesëmarrja e publikut në procesin e vendimmarrjes dhe si mund të zbatohet Konventa e Aarhusit në mënyrë të drejtpërdrejt si dhe përgjegjësia penale për ndotjen e mjedisit. Në vazhdim u potencua se Republika e Kosovës nuk është palë e Konventës së Arhusit dhe nga të dhënat e siguruara rezulton se zbatimi gjyqësor i kësaj Konvente në trajtimin e kontesteve administrative dhe civile është ende i mangët. Rrjedhimisht, gjyqtarët por edhe prokurorët u konkludua se kanë nevojë të konsiderueshme që të avancojnë njohuritë e tyre rreth zbatimit të kësaj Konvente.

Më tej gjatë këtij trajnimi u elaboruan tre shtyllat themelore të cilat i përmban Konventa e Aarhusit si: 1. E drejta e publikut për të pasur e për të kërkuar informacion mjedisor; 2. E drejta e publikut për të marrë pjesë në vendimmarrjet publike për çështje të mjedisit; 3. E drejta e publikut për t’u ankuar në gjykatë për çështje të mjedisit. Konventa e UNECE (KEE-OKB - Komisioni Ekonomik për Evropën i OKB-së) lidhur me të drejtën në informacion, pjesëmarrje të publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi në çështje mjedisore vendos një sërë të drejtash për publikun dhe detyrime për autoritetet shtetërore për të fuqizuar demokracinë mjedisore.

Në vazhdim u potencua se Kushtetuta e Republikës së Kosovës shprehimisht e parasheh përgjegjësinë për mjedisin jetësor e cila më tej është e specifikuar edhe në Ligjin për Mjedisin si dhe aktet tjera ligjore duke ju referuar parimeve të Konventës Aarhusit për qasje në informata dhe për të drejtën për të kërkuar mbrojtje gjyqësore për mjedisin jetësor.

Pjesëmarrësit gjatë trajnimit patën rastin që përmes rasteve nga praktika gjyqësore nacionale dhe në nivel ndërkombëtar të zbërthejnë legjislacionin në fuqi që e rregullon këtë fushë.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët, prokurorët si dhe bashkëpunëtorët profesional nga të gjitha nivelet në Republikën e Kosovës.

Shpërndaje :