Më 17-19 qershor 2019 në Durrës të Shqipërisë, Akademia e Drejtësisë në mbështetje të UN ka realizuar një tryezë diskutimesh me gjyqtarët e Gjykatës së Apelit.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte unifikimi i praktikës së Gjykatës së Apelit në procesin e bërjes së drejtësisë veçanërisht në çështjet që janë në kompetencë të divizionit civil.
Me rastin e kësaj tryeze janë diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me kontestet për kompensimin e pagave me rastin e pensionimit të shërbimit civil, rastet kur gjykata e shkallës së parë të shpallet jo kompetente territoriale sipas detyrës zyrtare, rastet e shqyrtimit paraprak të padisë, kompetenca për vendosje rreth kërkesave të palëve për shlyerjen e borxhit ndaj KEDS/ KEK, kompetenca e gjykatës për vendosje në procedurën kontestimore ose jo kontestimore me rastin e shpronësimit të patundshmërisë edhe për dëmin e shkaktuar jashtë pronësisë së eksproprijuar, cilësia e dokumentit përmbarues, aktvendimi i inspektoratit të punës, për pagat jubilare dhe për përcjellje në pension, aprovimi i kërkesëpadisë për kompensimin e dëmit material të shkaktuar me rastin e aksidenteve në komunikacion kur nuk ka prova shkresore si dhe vërtetimi i gjendjes faktike përmes ekspertizës kur ekspertizat janë kundërthënëse.
Nga diskutimet lidhur me çështjet e lartpërmendura është vërejte se kolegjet nuk kanë pasur praktikë të unifikuar dhe pothuajse edhe në këtë mënyrë kjo praktikë në disa raste ka kaluar instancat. Lidhur me këtë nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit u vendosë që për çështjet që kishte interpretime të ndryshme të kërkohet mendimi juridik i Gjykatës Supreme.
Në cilësi të monitoruesve të kësaj tryeze ishin edhe përfaqësues nga Akademia e Drejtësisë të cilët problemet e theksuara në tryezë do ti kenë parasysh gjatë hartimit të programit trajnues dhe do ti publikojnë shumë shpejt në faqen zyrtare të Akademisë.
Pjesëmarrës të kësaj tryeze kanë qenë gjyqtarët e Gjykatës Apelit, Departamenti i Përgjithshëm, përkatësisht divizioni civil si dhe nga Departamenti Ekonomik dhe Administrativ.
19-06-2019