Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

04-12-2019

Mjetet e goditjes në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës

Më 04 dhjetor 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “Mjetet e goditjes në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovë” në kuadër të PTV-së. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me mjetet e goditjes në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan Ankesa si mjet i vetëm i goditjes dhe kufijtë e shqyrtimit të saj dhe zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan afatet për paraqitjen e ankesës, dhe mjetet e jashtëzakonshme juridike.

Që në fillim u potencua se Ligji për Dhomën e Posaçme (LDHP)  si ligj  i veçantë që aplikohet nga DHPGJS në nenin 9.6 e parasheh ankesën si mjet i vetëm juridik i goditjes së vendimeve gjyqësore të lëshuara nga Kolegji i formuar sipas nenit 9.4 të këtij ligji ( lëndët pronësore dhe të privatizimit) dhe vendimeve të lëshuara nga gjyqtari i vetëm ( lëndët tjera nga jurisdiksioni i DHPGJS-së).

Me ankesë mund të goditen të gjitha llojet e vendimeve gjyqësore të lëshuar nga kolegjet e specializuara, me përjashtim të aktgjykimit për mosparaqitje që mund të ushtrohet kërkesë. Me ankesë si mjet i goditjes mund të kundërshtohen të gjitha vendimet apo veprimet e AKM-së, apo Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me të cilën refuzohen kërkesat pronësore, kreditore kundër ndërmarrjeve që janë futur në procedurë të likuidimit, ankesat që kanë të bëjnë me listën zyrtare të punëtorëve që kanë të drejta legjitime për të marr një pjesë në 20% të ardhurave nga çmimi i shitjes së ndërmarrjes shoqërore, ankesat që kanë të bëjnë me likuidimin e një ndërmarrje sipas autorizimit administrues të Agjencisë dhe ankesat apo kundërshtimet për anulimin e transaksioneve të ndonjë ndërmarrjeje që i është nënshtruar procedurës së likuidimit.

Procedura sipas ankesës para gjykatës zhvillohet në dy nivele: në të parin veprojnë Kolegjet e Specializuara, në të dytin Kolegji i Apelit.

Me nenin 9.14 i LDHP-së që aktualisht është në fuqi, është përcaktuar se “të gjitha aktgjykimet dhe aktvendimet e Kolegjit të Apelit janë të prera dhe nuk i nënshtrohen asnjë apeli tjetër”. Ky formulim ligjor i kësaj dispozite ligjore i heq të gjitha dilemat për mos aplikueshmërinë e mjeteve të jashtëzakonshme të goditjes së vendimeve gjyqësore në procedurat para DHPGJS-së, të cilat aplikohen në procedurat kontestimore në sistemin e gjykatave të rregullta. Mirëpo, çdo palë e pakënaqur me vendimin gjyqësor të Kolegjit të apelit, mund të paraqesë kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit në fjalë.

Në këtë trajnim janë përdorë metodat e shpjegimit të pjesëshëm teorik, diskutime interaktive, analizës së rasteve nga praktika gjyqësore si dhe shembuj të vendosjes meritore në raste konkrete.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, gjyqtarët e gjykatave themelore- departamentet e përgjithshme- divizionet civile, zyrtarët ligjor dhe bashkëpunëtorët profesional.

Shpërndaje :