Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

13-05-2017

Program i specializuar trajnimi në forcimin e kapaciteteve në luftimin e krimit kibernetik - Sesioni I

Më 12-13 maj 2017, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, ka realizuar trajnimin me temë “Program i specializuar trajnimi në forcimin e kapaciteteve në luftimin e krimit kibernetikë - Sesioni I”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte ngritja dhe forcimi i njohurive të pjesëmarrësve me elementet kyçe dhe tendencat e krimit kibernetik në mënyrë që të ndërtohen dhe fuqizohen kapacitetet profesionale në luftimin e kësaj dukurie negative.

Në ditën e parë të këtij sesioni trajnues u trajtua korniza ligjore që trajton krimet kibernetike, rreziqet dhe kërcënimet me të cilat përballet shoqëria në ditët e sotme nga sulmet kibernetike. Në fokus të këtij sesioni ishte shtjellimi i sistemit kompjuterik dhe mënyra e funksionimit të tij në përgjithësi, programet kompjuterike qëllimkëqija dhe vështirësitë që hasen në gjurmimin dhe zbulimin e kryerësve të krimeve kibernetike.

Tutje gjatë këtij trajnimi u prezantuan format e kryerjes së veprave penale në fushën e krimeve kibernetike, ku sipas të dhënave të prezantuara, shënjestra kryesore e sulmeve kibernetike në Kosovë deri më sot kanë qenë llogaritë e shfrytëzuesve, sistemi bankar dhe ueb faqet në Internet.

Gjithashtu gjatë trajnimit u diskutuan edhe problemet themelore rreth ndjekjes penale, pornografia e fëmijëve si formë e veprave të kësaj natyre dhe terrorizmi kompjuterik si fenomen global.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë nga niveli themelor dhe niveli i Apelit.

Shpërndaje :