Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

30-05-2017

Referimi paragjykimor (incidental) dhe procedurat sipas nenit 113 paragrafi 8 i Kushtetutës së Kosovës

Me 31 maj 2017, Akademia e Drejtësisë me mbështetjen e UNDP-së, ka realizuar trajnimin me temë “Referimi paragjykimor (incidental) dhe procedurat sipas nenit 113 paragrafi 8 i Kushtetutës së Kosovës”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me referimin kushtetues, analizën teorike dhe normative të tij duke u përqendruar në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese si dhe të praktikës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të gjykatave tjera kushtetuese në rajon dhe me gjerë.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtua nocioni i “referimit paragjykimor (incidental)” në doktrinën kushtetuese, subjektet e autorizuara për të referuar çështje paragjykimore dhe afatet kohore si dhe kriteret për referim. Ndërsa në pjesën e dytë u zbërthyen efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe praktika e saj.

Në trajnim gjithanshëm u trajtua procedura e referimit kushtetues. Ky mekanizëm i kontrollit kushtetues, në teorinë e rishikimit kushtetues njihet si referim i rastit ose referim incidental. Sipas modelit të drejtësisë kushtetuese në Kosovë, gjyqtarët nuk mund të vendosin vetë për kushtetutshmërinë e një ligji, i cili është i nevojshëm për vendimin e tyre. Andaj, gjykata vetëm mund të ndërpresë procedurat gjyqësore dhe t'ia kalojë çështjen Gjykatës Kushtetuese, e cila më pas do të vendosë nëse ligji i kontestuar është kushtetues.

Përfitues të trajnimit ishin gjyqtarë të nivelit themelorë dhe bashkëpunëtor profesional.

Shpërndaje :