Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

03-04-2018

Para-kontrata dhe konvalidimi i kontratave

Më 03 prill 2018, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, organizoi trajnimin me temë: “Para-kontrata dhe konvalidimi i kontratave”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me para-kontratat dhe konvalidimin e kontratave në Republikën e Kosovës.

Gjatë trajnimit u trajtuan përbërja e para-kontratës, kushtet për lidhjen dhe efektet e saj duke u shoqëruar me pyetjet e pjesëmarrësve dhe shpjegimet e trajnuesve. Pastaj u vazhdua me trajtimin e konvalidimit të kontratave dhe rekomandimet për të ardhmen.

Në  fokus  të  trajnimit  ishin çështjet që ndërlidhen me kontratat, e në veçanti me detyrimet dhe përgjegjësinë para-kontraktuese, si dhe problemet aktuale në fushën e zbatimit të këtyre kërkesave ligjore në praktikë, dhe një shtjellim i përgjithshëm i dispozitave të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, për këtë institut juridik.

Në vazhdim u veçua mendimi se parimi i mirëbesimit dhe bërjes së marrëveshjeve të drejta në marrëdhëniet parakontraktuese është parim i vjetër në traditën juridike evropiane dhe zbatohet në të gjitha sistemet juridike nacionale të shteteve anëtare të BE-së dhe është i paraparë në disa direktiva të BE-së, duke e bërë këtë parim të detyrueshëm në shtetet anëtare si standard i BE-së në fazën parakontraktuese dhe si pjesë të përmbushjes së kontratës.

Në trajnim u veçua edhe mendimi se Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve, në nenin 20 të tij, përmban një bazë juridike për mundësinë e krijimit të detyrimeve dhe përgjegjësisë parakontraktuese, pra edhe për rastet nëse palët akoma nuk kanë hyrë në një marrëdhënie kontraktuese.

Gjatë trajnimit pjesëmarrësit morën pjesë në një debat të frytshëm dhe interaktiv lidhur me pyetjet dhe paqartësitë e ngritura përmes analizës së dispozitave ligjore dhe mënyrave si duhet zbatuar drejte ato në praktikë, gjithashtu u përdoren edhe metoda e shpjegimit të pjesshëm teorik, raste nga praktika gjyqësore vendore dhe shteteve të rajonit.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore - departamentet e përgjithshme- divizionet civile, gjyqtarët nga departamenti për çështje ekonomike, bashkëpunëtorët profesional dhe zyrtar ligjor.

Shpërndaje :