Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

01-05-2018

Etika gjyqësore

Më 30 prill 2018, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit të Trajnimit të Vazhdueshëm, në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Fuqizimin e Sektorit të Drejtësisë në Kosovë - JSSP, ka realizuar trajnimin për gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Ferizaj me temë “Etika Gjyqësore”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me zbatimin e Kodit të Etikës Gjyqësore të Kosovës, në mënyrë që këta të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë korrekte dhe të drejtë.

Në trajnim u potencua se nga gjyqtarët kërkohet të veprojnë me integritet në jetën e tyre private si edhe në jetën profesionale. Me tej u potencua se dukja e sjelljes së pahijshme gjyqësore ndikon në besueshmërinë e publikut, po aq sa edhe vëzhgimi i parregullsive gjyqësore në realitet. Në trajnim u veçua mendimi se komunikimet ex-parte midis një pale dhe gjyqtarit, edhe nëse nuk kanë të bëjnë fare me një lëndë, mund të krijojnë perceptimin në mendjen e publikut se ekziston korrupsioni në sistemin gjyqësor.

Pas një shtjellimi të gjithanshëm u veçua qëndrimi se përfshirja në mediat sociale si facebook, instagram, twitter, nuk është e ndaluar në mënyrë specifike, por një gjyqtar duhet të shqyrtojë me kujdes ndikimin që një postim ose veprim tjetër në media sociale mund të ketë në reputacionin e tij gjyqësor dhe reputacionin e gjithë gjyqësorit.  

Pas një debati u potencua se marrja e një dhurate, madje edhe e një vlere nominale e dhënë gjatë periudhës së festave, është e ndaluar në mënyrë specifike nga Kodi i Etikës Gjyqësore të Kosovës. Kodi i etikës përmban kërkesat që një gjyqtar nuk guxon të pranojë dhurata, pavarësisht nga vlera e tyre dhe ndalon pjesëtarët e stafit të gjykatës që të marrin dhurata.  Gjithashtu në trajnim u ofruan zgjidhje praktike të bazuara në Kodin e Etikës të cilat do të lehtësojnë punën e gjyqtarëve dhe avancojnë njohuritë e tyre për kërkesat të konfidencialitetit për disa pjesë të caktuara të proceseve gjyqësore, dhe kufizimet në komunikimet gjyqësore me media për lëndët aktualisht në shqyrtim. 

Në këtë trajnim u përdorën dhe u shtruan skenarë të rasteve që përfshijnë disa çështje praktike etike që gjyqtarët mund t’i hasin në punën e tyre të përditshme.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Ferizajt dhe gjyqtarët në degët e saj.

Shpërndaje :