Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

31-10-2018

Aktivitetet e realizuara në kuadër të trajnimit fillestar për prokurorët e sapo emëruar gjatë muajit tetor

Akademia e Drejtësisë, në përmbushje të programit trajnues, ka vazhduar me realizimin e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar, të cilin janë duke e vijuar prokurorët e shtetit të sapoemëruar.

Gjatë muajit tetor, në kuadër të trajnimit teorik për prokurorët e sapo emëruar janë realizuar  (20) sesione trajnuese nga moduli “Kodi i Procedurës Penale”, “Legjislacioni dhe shkathtësitë plotësuese” dhe “Shkathtësitë personale dhe ndërdisiplinore”.

Nga nën moduli “Etikë profesionale” janë realizuar nëntë (9) sesione trajnuese, ku prokurorët kanë pasur mundësi të thellojnë njohuritë e tyre rreth veprimtarive gjyqësore dhe jo gjyqësore të gjyqtarëve, përgjegjësitë gjyqësore dhe administrative, pavarësia – përmbajtja dhe vlera juridike e parimit të pavarësisë, influenca e ushtruar nga ekzekutivi dhe legjislativi, paanshmëria, konflikti i interesave – keqpërdorimi i funksionit gjyqësor dhe prokurorial dhe bashkëpunimi dhe koordinimi i ndërsjellë mes prokurorit dhe policisë për raste të ndjeshme.

Gjithashtu në kuadër të nën modulit “Hetimi i krimeve ndërkufitare” janë realizuar tri (3) sesione trajnuese, ku pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të avancojnë njohuritë rreth shqyrtimit të detyrueshëm të lëndës së hetimit, analizojnë pezullimin e hetimeve, identifikojnë pushimin e hetimeve dhe kohëzgjatjen e hetimeve. Po ashtu prokurorët kanë realizuar tri (3) sesione nga nën moduli “Rregullat e komunikimit” dhe “Menaxhimi i stresit” dhe janë trajtuar rregullat e komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm dhe përvojat më të mira në mjedisin e punës dhe menaxhimi i kohës si predispozitë e menaxhimit të stresit.

Në periudhën raportuese prokurorët e sapo emëruar nga moduli “Kodi i Procedurës Penale” kanë realizuar katër (4) sesione trajnuese ku kanë trajtuar: ushtrimi e mjeteve juridike nga ana e prokurorit, procedurat e veçanta sipas KPPK-së, marrja dhe komunikimi i vendimeve, shqyrtimin fillestar, i dytë dhe shqyrtimi gjyqësor dhe vija ndarëse në mes veprave penale dhe atyre kundërvajtëse.

Për këtë periudhë prokurorët e sapo emëruar kanë realizuar (13) ditë trajnimi praktikë në prokurorit përkatëse ashtu siç është paraparë me programin trajnues. Trajnimin fillestar janë duke e ndjekur 22 prokurorë të sapo emëruar, tre prej tyre janë të komunitetit serb.

Shpërndaje :